Pas shoqërimit, Emiljano Shullazit i vihen prangat - Bota Sot
Pas shoqërimit, Emiljano Shullazit i vihen prangat

Kronikë e zezë

Pas shoqërimit, Emiljano Shullazit i vihen prangat

Më: 17 prill 2016 Në ora: 07:32

Pas akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, Emiljano Shullazi është shoqëruar mbrëmjen e kaluar në polici.

Gjatë një konference të mbajtur me gazetarët, ish-kreu i Partisë Demokratike denoncoi kërcënimin e kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, nga ana e Shullazit. Sipas Berishës, dekanit i është thënë se “do të rrëmbejmë djalin nëse vazhdon të kandidosh për këtë post”.

Forca të shumta policie kryen kontrolle në shtëpinë e Shullazit, ku u gjetën disa aparate celularë. Kontrolle pritet të ushtrohen edhe në banesat e miqve të tij.

Në çastin e ndalimit te “Rruga e Kavajës”, Emiljano Shullazi nuk bëri rezistencë. Ai u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku po merret në pyetje. Gjatë dëshmisë para uniformave blu, mësohet se Shullazi ka mohuar të ketë kërcënuar Mynyr Konin, duke i cilësuar si shpifje akuzat e Berishës.

Nga ana tjetër, në Drejtorinë e Policisë nuk është regjistruar asnjë kallëzim penal kundër tij, ndërsa vetë kandidati Mynyr Koni tha se do të vazhdonte garën për rektor, por pa përmendur kërcënimet e Shullazit.

Pas shoqërimit të Emiljano Shullazit, miqtë e tij më të ngushtë kanë shkuar menjëherë pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Të paktën 30 persona janë parë në grupe të vogla në baret aty pranë, ndërsa në oborr ka forca të shtuara të patrullave “Shqiponja”.

Ndërkohë prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka thirrur në një takim urgjent drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako. Në takimin që po zhvillohet në Prokurorinë e Përgjithshme marrin pjesë edhe prokurori i Tiranës, Petrit Fusha dhe drejtori i policisë se Tiranës, Ervin Hodaj.

Emiliano Shullazi është vendosur në pranga pak pas mesit të natës, fill pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar një urdhër-arresti ndaj tij. Mësohet se akuza e ngritur ndaj tij është ajo e pjesëmarrjes në organizata kriminale. Urdhri për arrestim doli fill pas përfundimit të takimit të drejtuesve të prokurorisë dhe policisë.

Gjithashtu në pranga ka rënë edhe Gilmano Dani, një emër tjetër i botës së krimit në Tiranë. I njohur si një ndër miqtë më të ngushtë të Shullazit, Dani ishte në kërkim nga policia që nga 17 janari, kur plagosi një person në kryeqytet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...