Atentati me snajper në burg, flasin dëshmitarët: Çfarë pamë

Kronikë e zezë

Atentati me snajper në burg, flasin dëshmitarët: Çfarë pamë

Më: 31 korrik 2016 Në ora: 09:52
ilustrim

Autorët e krimit kanë shfrytëzuar më së miri një kodër që ndodhet përballë burgut të Vaqarrit.

Nga një distancë prej 400-500 metrash, ata kanë shtënë me armë nga kodra, e cila ka fushëpamje të plotë me godinën e burgut në njërin krah të saj.

Zona ku kanë qëndruar e vepruar autorët ka rrugë automobilistike, por është e mbushur me bimësi në lartë- si deri në 1.5 metra.

Kjo gjë, me sa duket, ka qenë një ndihmë e madhe për autorët që kanë mbërritur aty dhe kanë lëvizur në zonë pa u diktuar apo pa arritur të identifikohen nga banorët e zonës.

Grupi hetimor i Policisë së kryeqytetit ka marrë në pyetje banorët e zonës dje pas ngjarjes.

Ata kanë pohuar se kanë parë nga larg një makinë me ngjyrë të bardhë dhe dy persona që kanë lëvizur në kodrën nga u qëllua me armë në kohën kur ndodhi krimi.

Sipas dëshmitarëve, dyshohet se autorët kanë qëlluar dy herë në drejtim të ambientit të ajrimit të burgut Vaqarr.

VIDEOT E BURGUT

Burime nga hetimi i ngjarjes kanë thënë se pas plagosjes së 40-vjeçarit me një plumb në këmbë, janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave që monitorojnë ambientet e burgut.

Nga këto pamje është konstatuar momenti kur i paraburgosuri nga Kosova është përkulur në momentin që është qëlluar me plumb në këmbë.

Kjo ka ndodhur në kohën e përfundimit të qëndrimit në ambientin e ajrimit të personave të paraburgosur.

Nga videoja e kamerave, sipas hetuesve, përjashtohet mundësia e plagosjes së 40-vjeçarit nga brenda burgut./panorama

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat