Tragjike! Aksidenti me tre viktima në Bulqizë, dy prej tyre motër e vëlla

Kronikë e zezë

Tragjike! Aksidenti me tre viktima në Bulqizë, dy prej tyre motër e vëlla

Më: 4 gusht 2016 Në ora: 20:00
ilustrim

Pa u mbyllur ende jehona e aksidentit tragjik të Velipojës, një tjetër ngjarje e rëndë raportohet në Bulqizë. Policia e Dibrës njoftoi se një aksident i rëndë ka ndodhur në hyrje të fshatit Trebisht, në kufi me Maqedoninë, ku si pasojë e daljes nga rruga të një automjeti tip Opel, kanë humbur jetën 3 persona, mes tyre një motër e vëlla, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14.00. Sipas burime zyrtare, viktimat janë Azem Karabrahimi, 21 – vjeç, banues në fshatin Ostren dhe motra e tij, Elena Bajrami, rreth 32 – vjeç, banuese në fshatin Tuçep, të cilët po ktheheshin pas një vizite mjekësore në Maqedoni.

Ka humbur jetën edhe drejtuesi i mjetit, Musa Nuredini, rreth 55 – vjeç, ndërsa Gentjan Sula, 27 – vjeç, kushëri me dy viktimat, ndodhet i plagosur në gjendje të rëndë dhe po mjekohet në spitalin e Dibrës së Madhe në Maqedoni.

Burime në vendin e ngjarjes thanë se dyshohet që shkak të jetë bërë gjendja e rrugës dhe shpejtësia tej normave të lejuara. Mungesa e barrierave anësore ka bërë që automjeti të rrëzohet nga një lartësi e madhe në humnerë.

I plagosuri është ndihmuar nga banorë të zonës për t’u transportuar në spital. Në vendin e aksidentit kanë shkuar forcat e policisë dhe ekspertët, të cilët do të përcaktojnë shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat