Itali, arrestohen 5 shqiptarë, po shkarkonin dy tonë hashash nga gomonja

Kronikë e zezë

Itali, arrestohen 5 shqiptarë, po shkarkonin dy tonë hashash nga gomonja

Më: 12 gusht 2016 Në ora: 16:52
Ilustrim

Ishin duke shkarkuar rreth dy tonë drogë të dyshuar të llojit marijuanë nga një gomone, me të cilën kishin kaluar përmes Adriatikut, por 5 shqiptarët kanë rënë gjatë natës prè e policisë në “Foce del Metauro”, e konsideruar prej tyre si një gji i sigurtë.

Megjithatë, ata nuk e dinin se aty nuk po i prisnin pjesëtarët e tjerë që do të merrnin sasinë e drogës, por forcat e policisë së Komisariatit të Fanos, së bashku me përforcime të ardhura nga Kuestura e Pezaros dhe ajo e Ankonës.

Operacioni është lançuar në momentin kur trafikantët ishin fshehur nën urën hekurudhore, ku do të zhvillonin edhe procesin e shkarkimit të tonelatave të drogës. E teksa panë se ishin të zbuluar përballë forcave policore, ata kanë tentuar të arratisen, por janë bllokuar nga agjentë, të cilët i kanë arrestuar në flagrancë.

Kjo është hera e parë, theksojnë mediat italiane, që brigjet e vendit fqinj janë bërë dëshmitarë të një trafiku të këtyre përmasave të drogës. Mjeti lundrues ishte një skaf prej 8 metrash gjatësi dhe me dy motorë jashtë bordit të tij, për çmontimin e të cilëve kanë ndërhyrë zjarrfikësit e Fanos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat