Flet i arratisuri në Greqi: Unë do trafikoja armët e drogën nga Korça

Kronikë e zezë

Flet i arratisuri në Greqi: Unë do trafikoja armët e drogën nga Korça

Më: 21 gusht 2016 Në ora: 23:56
ilustrim

Dy shqiptarët e arratisur nga burgu, ku vuanin dënimin për vrasje në Greqi, u lanë në burg dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi pak ditë më parë u kapën duke trafikuar drogë dhe armë në zonën e Korçës.

Ditën e djeshme, me kërkesë të Prokurorisë, gjykata vendosi lënien në qeli pa afat për shtetasit Ludovik Kola dhe Enkeledi Myrte, të arratisur nga burgu në Greqi.

Në burg, gjykata e la edhe shokun e tyre, Shpëtim Hidri, i arrestuar më 15 gusht bashkë me dy të arratisurit nga burgu në Greqi. Tre personat ranë në pranga mesditën e 15 gushtit, duke tentuar të kalonin në mënyrë ilegale në Greqi me një makinë, tri armë zjarri kallashnikov, një pistoletë dhe 3.3 kg hashash.

Ditën e djeshme në seancën e drejtuar nga gjyqtari Luan Hasneziri, i arratisuri nga burgu grek Ludovik Kola mori përsipër armët, drogën dhe organizimin për trafikimit të tyre në Greqi. Kola tha para gjykatës se dy shokët e tij nuk kanë përgjegjësi për këtë krim, pasi nuk kishin dijeni për drogën dhe armët që ishin vendosur në automjet.

Kola shpjegoi para gjykatës se shoku me të cilin ishin arratisur nga burgu grek, më 17 maj 2016, shtetasi Enkeledi Myrte po i tregonte rrugën nëpër fshatrat e Devollit, pasi do të kalonte në mënyrë ilegale në Greqi. Në lidhje me të arrestuarin Shpëtim Hidri, pronari i mjetit ku u gjetën armët e droga, Ludovik Kola, ka thënë në gjykatë se ai nuk kishte dijeni se për çfarë qëllimi ia kishte marrë mjetin.

Ditën e djeshme, Hidri qau në gjykatë dhe kërkoi të lirohet, duke thënë se makinën ia kishte dhënë në përdorim shokut të tij Ludovik Kola dhe nuk kishte dijeni se për çfarë e ka përdorur. Para Gjykatës së Krimeve të Rënda, i arrestuari tjetër, Enkeledi Myrte, nuk i pranoi akuzat.

AKUZAT PËR DROGË E ARMË

Organi i Akuzës ka kundërshtuar pretendimet e paraqitura nga ana e të arrestuarve në seancën e djeshme.

Prokuroria ka thënë se nga hetimet e deritanishme janë krijuar dyshime se shtetasi Ludovik Kola, me banim në Pukë, ka rënë dakord me shtetasin Shpëtim Hidri që ta transportonte në drejtim të kufirit të shtetit grek, me qëllim futjen në territorin grek të sendeve të kundërligjshme të sekuestruara, katër armë zjarri dhe 3.3 kilogramë drogë, raporton Panorama.

“Ditën e ngjarjes, shtetasit Ludovik Kola dhe Shpëtim Hidri janë nisur nga Kurbini dhe, pasi kanë mbërritur në qytetin e Bilishtit, janë takuar me shtetasin Enkeledi Myrte, me qëllim që ky i fundit t’iu tregonte rrugën për të kaluar në këmbë kufirin në mënyrë të paligjshme, së bashku me sendet e kundërligjshme.

Shtetasi Ludovik Kola ka pasur njohje me shtetasin Enkeledi Myrte, pasi së bashku vuanin dënimin në një burg në shtetin grek, prej të cilit janë arratisur në muajin maj të vitit 2016″, ka bërë me dije Prokuroria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat