Si dy motrat rekrutonin vajzat, i çonin jashtë pasi i “mësonin” në vend

Kronikë e zezë

Si dy motrat rekrutonin vajzat, i çonin jashtë pasi i “mësonin” në vend

Më: 3 tetor 2016 Në ora: 09:02
Aksioni i policisë

Dy motra nga Skrapari dhe tre djem janë vënë në pranga dje gjatë tentativës për të trafikuar drejt Gjermanisë dy vajza të reja, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion.

Arrestimi i tyre u krye gjatë operacionit të koduar “Rekrutimi”, të realizuar nga oficerët e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe ata të Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Tiranës.

Burime zyrtare të Policisë thanë se 5 personat e arrestuar akuzohen për trafikim të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Nga ana tjetër, gjatë operacionit u ndaluan edhe dy vajzat që po transportoheshin drejt Gjermanisë, të cilat më parë kishin ushtruar prostitucion në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ndaj tyre nisi procedim penal në gjendje të lirë për prostitucion, ndërsa u shpall në kërkim edhe një shtetase nga Rumania. Sipas Policisë, vajza rumune me inicialet P.C. dyshohet se ishte personi pritës në Gjermani. Vajzat që do të trafikoheshin jashtë vendit ishin pajisur më parë me karta rumune të falsifikuara, që u sekuestruan gjatë operacionit, bashkë me biletat e udhëtimit dhe pasaportat.

Nga ana tjetër, Policia e Tiranës tha se vazhdojnë hetimet për të zbuluar nëse ka raste të mëparshme që vajza të reja janë trafikuar nga Shqipëria nga ky rrjet i shfrytëzimit të prostitucionit.

OPERACIONI

Policia e Tiranës tha dje se Seksioni i Trafiqeve në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale, pas një hetimi disamujor kanë bërë të mundur finalizimin e operacionit koduar “Rekrutimi”, gjatë të cilit u arrestuan në flagrancë 5 persona dhe 3 të tjerë hetohen në gjendje të lirë.

Në pranga përfunduan dy motrat, Ina e Armonela Qama, 23 e 25 vjeç, nga Skrapari, banuese në Tiranë, si dhe Ledian Gjoni, 28 vjeç, nga Skrapari, Ardit Shmilli, 24 vjeç, nga Skrapari dhe Zamir Hodo, 31 vjeç nga Tirana.

“Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar veprimtari kriminale me tendencë shfrytëzimin e prostitucionit në Shqipëri, si dhe kanë rekrutuar me qëllim trafikimi e më pas shfrytëzimin për prostitucion e dërgimin e tyre drejt Gjermanisë së dy shtetaseve me iniciale M.TH., 19 vjeç dhe A.P. 20 vjeç”, tha dje Policia.

Mësohet se, përveç të arrestuarve, janë referuar materialet në Prokurori për hetim në gjendje të lirë ndaj shtetaseve M.Th. dhe A.P., të cilat janë rekrutuar nga personat e mësipërm dhe dyshohet se kanë ushtruar prostitucion në Shqipëri e më pas do të shfrytëzoheshin jashtë vendit.

Policia tha se e përfshirë në trafikimin e vajzave dyshohet të jetë dhe shtetasja nga Rumania me inicialet P.C., e cila dyshohet se ishte personi pritës në Gjermani. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy karta identiteti rumune të dyshuara të falsifikuara, me të cilat ishin të pajisura dy vajzat që do shfrytëzoheshin në Gjermani, 4 bileta avioni, 7 telefona dhe 1500 euro.

Gjithashtu është sekuestruar edhe një automjet taksi, i cili bënte transportin e vajzave nga Tirana në drejtim të Aeroportit të Prishtinës, nga ku bëhej nisja drejt Gjermanisë./panorama 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat