‘Miniera’ e hashashit/ I arrestuari: Kam vajzën të paralizuar, doja lekë

Kronikë e zezë

‘Miniera’ e hashashit/ I arrestuari: Kam vajzën të paralizuar, doja lekë

Më: 8 tetor 2016 Në ora: 09:26
Ilustrim

Gjykata e Krimeve të Rënda dha dje masat e sigurisë për të arrestuarit në operacionin antidrogë në Vlorë ku u vunë në pranga gjashtë persona dhe u sekuestruan mbi 7 mijë rrënjë bimë kanabis.

I vetmi nga personat e arrestuar që u la i lirë ishte Albert Aliaj nga Mallakastra. Ky i fundit sipas prokurorisë ka qenë punëtor në plantacionet me drogë, ku kryente rolin e personin që e priste dhe më pas e vendoste për ta tharë, lëndën narkotike. 

Aliaj i ka pohuar gjykatës se kishte vetëm një ditë që kishte punuar në parcelat e drogës.

“Unë kisha vetëm një ditë që punoja aty. Kam qenë pa punë. Jam në kushte të vështira ekonomike dhe se nuk kisha mundësi ku të punoja dhe të çoja lek në shtëpi. Një vajzë e kam të paralizuar dhe nuk lëviz nga krevati, gruan e kam të papunë. I vetmi person që mundohej të punonte isha unë. Ditën kur ka ardhur policia dhe që jam arrestuar, kam hyrë për herë të parë në punë. Madje për punën e bërë nuk jam paguar. Më lini të lirë të shkoj pranë familjes dhe të ndihmoj vajzën e paralizuar”-ka deklaruar para gjykatës i arrestuari Albert Aliaj. Pas këtij rrëfimi gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë të “arrestit në shtëpi” për Aliaj. Ndërkohë ditën e sotme në gjykatë do zhvillohen masat e sigurisë për të arrestuarin 18-vjeçar Xhovalin Baco, nipi i Taulant Haxhirajt dhe Klajdi Imeri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat