Përplasje me armë midis të rinjve, dy në pranga dy në kërkim

Kronikë e zezë

Përplasje me armë midis të rinjve, dy në pranga dy në kërkim

Më: 10 tetor 2016 Në ora: 10:36
Ilustrim

Policia e Tiranës ka zbardhur plagosjen e ndodhur mes natës së ditës së shtunë dhe të diel në rrugën “Bedri Karapici” në kryeqytet, ku iu bë pritë një 31 vjeçari.

Policia sqaron se dy ishin autorët që i bënë pritë shtetasit Shpëtim T., përkatësisht Erlando Markola dhe Amarildo Koçeku.

Por teksa i kanë drejtuar pistoletën, shtetasit Shpëtim T, policia thotë se ky i fundit ka përplasur me mjetin e tij tip, “Volkswagen” shtetasin Koçeku.

Ndërkohë, nipi i Shpëtim T, shtetasi K.T, ka marrë në banesën e tij një armë zjarri tip automatik dhe dyshohet të ketë qëlluar në drejtim të Erland Markolës dhe Amarildo Koçekut, ku për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi Koçeku, i cili ndodhet në SQU jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka çuar në pranga dy persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Personat e arrestuar janë shtetasit Erland Markola, 28 vjeç, banues  në Tiranë, i dënuar më parë për “Vjedhje me dhunë”, si dhe Amarildo Koçeku, 23 vjeç, banues në Tiranë.

Ndërkohë, është bërë shpallja në kërkim e shtetasve Shpëtim T., 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Vjedhje”, si dhe K. T., 17 vjeç, banues në Tiranë.

“Po më datë 09.10.2016, rreth orës 08:00, është paraqitur dhe ka bërë kallzim në Komisariatin e Policisë Nr.6, shtetasi L. M., 21 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka kallzuar se më datë 08.10.2016, rreth orës 23:00, në rrugën “Bedri Karapici”, dy persona kanë dalë nga një mjet tip “Mercedes Benz”, duke i drejtuar një armë zjarri tip pistoletë. Nga përshkrimi i personave dhe paraqitja për njohje me anë të fotos, dyshohet se një nga dy autorët të jetë Erland Markola”, sqaron policia në komunikatë.

Në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes janë sekuestruar katër gëzhoja arme zjarri model 56 si dhe një automjet tip “Volkswagen” (në pronësi të Shpëtim T.)

Po punohet për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim si dhe gjetjen e armëve të dyshuara të përdoruara në këtë ngjarje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat