Vrasja për një makinë, Vlorë ja si nisi sherri mes dy të rinjve: Fillimisht qëlloi Fabjoni me armë, më pas ai u vra nga shoku u tij

Kronikë e zezë

Vrasja për një makinë, Vlorë ja si nisi sherri mes dy të rinjve: Fillimisht qëlloi Fabjoni me armë, më pas ai u vra nga shoku u tij

Më: 14 nëntor 2016 Në ora: 14:00
Ilustrim

Tre ditë më parë, policia ka vënë në pranga në flagrancë dy të rinjtë, Marjo Ribaj dhe Endri Pango, 22 dhe 28 vjeç, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja e lëndëve narkotike”.

Nga veprimet e para hetimore  rezultoi se:

Më datë 11.11.2016., rreth orës 11.30 në Sallën e Drejtim-Komandimit pranë Policisë Vlorë, është njoftuar se në fshatin Vranisht  të rrethit të Vlorës, Marjo Ribaj ka vrarë me armë zjarri Fabion Veizaj, banor i fshatit, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme për shkak të plagëve të marra.

Marjo Ribaj, 22 vjeç, dhe Fabion Veizaj, 22 vjeç kanë pasur njohje me njëri-tjetrin, si bashkëfshatarë. Në muajin Shtator 2016, shtetasi Mario Ribaj i ka shitur një automjet të markës Opel Frontera, ngjyra vishnjë, model i vjetër Fabjonit, por nga ana e këtij të fundit nuk është bërë shlyerja e detyrimit financiar.

Më datë 10 nëntor 2016, në mbrëmje, Mario i ka telefonuar Fabionit, duke i kërkuar shlyerjen e detyrimit për blerjen e makinës, por ai i është përgjigjur ashpër, duke i thënë se lekët i kishte por nuk donte t`ia jepte, përgjigje pas të cilës Marjo i ka thënë se do shkonte t`i merrte makinën.

Të nesërmen më datë 11 nëntor 2016 rreth orës 09:00, Mario, së bashku me Endri Pangon, shok i tij, janë nisur me makinën e markës Fiat Punto, me ngjyrë të bardhë me targa italiane në pronësi të Marjo Ribaj, në drejtim të fshatit Vranisht. Në pjesën e pasme të sediljes së makinës, shtetasi Mario Ribaj, mbante një armë zjarri automatike.

Kur kanë mbërritur tek banesa e Fabion Veizaj, fillimisht kanë gjetur e komunikuar me të vëllanë e Fabjonit, Klaus Veizaj, e më pas aty ka mbërritur Fabjoni. Pas një debati të zhvilluar mes dy personave Fabjon Veizaj dhe Marjo Ribaj, ky i fundit është larguar për në drejtim të automjetit me të cilin ka ardhur, ka hipur në makinë së bashku me Endrin, e ka ndezur atë dhe janë nisur, por janë penguar nga Fabioni i cili u ka dalë përpara makinës duke mos dashur që ata të iknin.

Në këtë kohë, Mario Ribaj, ka marrë armën e zjarrit automatike që mbante në automjet dhe duke drejtuar automjetin me dorën e djathtë, ka nxjerrë automatikun dhe ka qëlluar disa herë nga automjeti i tij, në drejtim të Fabjon Veizaj dhe Klaus Veizaj, të cilët janë ndodhur vetëm disa metra më larg, duke shkaktuar si pasojë vrasjen e shtetasit Fabjon Veiziaj.

Më pas ata janë larguar, në drejtim të një pylli të vogël ku kanë fshehur dhe armën e krimit në një shkurre. Gjatë veprimeve të shërbimeve policore, është bërë e mundur gjetja dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit të dy të rinjve.

Janë gjetur gjithashtu dhe sekuestruar arma e krimit, automatik model 56, e kalibrit 7.62 mm, si dhe 72 copë fishekë model 56 të kalibrit 7.62 mm, automjet i markës Fiat Punto, me targa AL 082 VS, i përdorur nga autorët. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Marjo Ribaj në fshatin Vranisht është sekuestruar 90 gram lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva për të cilën shtetasi pretendoi se e kishte për përdorim vetjak.

I pyetur në lidhje me ngjarjen, Marjo Ribaj, shpjegoi se në datë 08.09.2016. i ka shitur një automjet të markës Opel Frontera, model i vjetër, pa targa, me ngjyrë vishnjë, Fabion Veizaj, nga fshati Vranisht i Vlorës për shumën e një milion e dyqind mijë lekëve. Fabioni nuk i ka paguar paratë, duke i thënë se do i`a jepte në fund të muajit Shtator të këtij viti.

Gjatë kësaj kohe Marjo i ka kërkuar disa herë paratë, por Fabjoni i kishte thënë se ishte pak ngushtë nga ana ekonomike, por do t`i gjente dhe do t`ia jepte. Marjo Ribaj e ka telefonuar përsëri në datë 10.11.2016 dhe i ka kërkuar paratë e shitjes së makinës, por Fabjoni i ka thënë i inatosur se lekët i kishte, dhe nuk donte t`ia jepte. Pasi ka marrë këtë përgjigje Marjo i ka thënë se do vinte të merrtë makinën.

Të nesërmen së bashku me Endri Pangon, shok i tij, kanë vendosur të shkojnë në Vranisht dhe janë nisur nga Vlora rreth orës 09.30 me automjetin e markës Fiat Punto, në pronësi të Marjos. Në makinë në pjesën e pasme, nuk ka sedilje dhe brenda një thesi me ngjyrë të bardhë,Marjo kishte një armë zjarri automatike dhe 2 krehëra me fishekë.

Pasi kanë mbërritur në Vranisht rreth orës 11.00 kanë shkuar tek shtëpia e Fabjonit ku ka vënë re qe makina që i kishte shitur Fabionit, ishte i parkuar përpara shtëpisë së tij.

Në oborrin e banesës ndodhej vëllai i Fabionit, Klaus Veizaj, të cilit i ka kërkuar se ku ndodhej Fabioni. Ai e ka marrë në telefon dhe pas rreth 10 minutash ka ardhur Fabjoni. Sipas të dyshuarit, Fabjoni nuk u ka folur fare, por është futur direkt në banesën e tij, dhe pas pak ka dalë nga dera kryesore e banesës me një armë zjarri automatike në dorë të drejtuar prej Marjo dhe Endrit, dhe pasi i ka sharë ka gjuajtur 2 herë në tokë në drejtim të tyre.

Në këtë kohë Klausi dhe Endri i kanë thënë që të hiqte armën.  Marjo dhe Endri janë futur tek automjeti i tyre për të ikur, kanë ndezur makinën, por Fabjoni u ka dalë para makinës me automatikun drejtuar nga xhami i përparmë i saj dhe ka goditur kofanon e makinës me tytën e automatikut disa herë.

Marjo ka nisur makinën, ka ikur rreth 10-15 metra, ka dëgjuar të shtëna arme zjarri që vinin në drejtimin e makinës, dhe në ecje e sipër shpjegon të ketë nxjerrë nga thesi armën automatike që kishte me vete dhe me dorën e djathtë ka qëlluar 4- 5 herë, por pa menduar drejtimin se ku po qëllonte.

Pasi është larguar e ka parkuar makinën disa metra larg banesës së tij, dhe pasi ka fshehur armën është larguar së bashku me shtetasin Endri Pango. Në lidhje me bimën narkotike, të gjetur në banesën e tij ai shpjegoi se është e tij dhe e ka për përdorim personal.

Të njëjtat rrethana të faktit rezultojnë edhe nga deklarimet e Endrit Pango.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat