1.8 ton drogë në Memaliaj, prokuroria: Policë të implikuar

Kronikë e zezë

1.8 ton drogë në Memaliaj, prokuroria: Policë të implikuar

Më: 16 nëntor 2016 Në ora: 18:34
Droga

Policia ka sekuestruar 1772 kg kanabis në disa operacione të zhvilluara, ndërsa janë arrestuar 4 persona, 3 të tjerë janë shpallur në kërkim, nga të cilat 2 janë identifikuar.

 Të arrestuar janë Besim Zika, Pëllumb Rona, Festim Rona dhe Çoban Kalemi, ndërsa vazhdon puna për arrestimin e 3 personave të tjerë.
 
Në banesën e Pëllumb Ronës u gjetën 65 kg kanabis e paketuar në thasë plastikë, Besim Zikës iu gjet  rreth 17 kg kanabis, Çoban Kalemit 19 thasë 160 kg, si dhe një armë zjarri automatik.
 
Në banesën e shtetasit G.G, në fshatin Maricaj u gjetën 27 thasë me peshë totale 270 kg, ndërsa vijon puna për kapjen e tij.
 
Gjithashtu në vendin e quajtur "Kodra e Miricës", në fshatin Miricë në Memaliaj u gjetën 42 thasë me 1260 kg kanabis.
 
Operacioni në Memaliaj është zhvilluar nga prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit.
 
Burime për Shqiptarja.com pohojnë se dyshohet se ka edhe policë të implikuar në operacionin e policisë së Gjirokastrës.
 
Dje është urdhëruar nga Krimet e Rënda ndërhyrja, në vijim të hetimit. Eshtë komunikuar me drejtorinë e përgjithshme të policisë, të cilët kanë njoftuar drejtorinë e Gjirokastrës për t'u bërë gati për ndërhyrje.
 
Nga informacionet me burime të sigurta të Krimeve të Renda rezultoi se në mbrëmje vonë, kultivuesit janë njoftuar që të lëvizin mallin, se do të ketë operacion policor.
 
Kultivuesit e kanë lëvizur mallin pas njoftimit, por duke qenë se kanë qenë në përgjim nga Krimet e Renda, që kishin informacion edhe për bazë tjetër të këtij grupi është orientuar operacioni në vendndodhjen e re, ku është zbuluar edhe sasia e madhe e lëndës narkotike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat