Vrasja e parukieres në Lezhë, babai: Fjalët e fundit që i thashë vajzës në spital

Kronikë e zezë

Vrasja e parukieres në Lezhë, babai: Fjalët e fundit që i thashë vajzës në spital

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 10:21
Preng Ndoka, flet për herë të parë në media dhe tregon detaje mbi jetën e vajzës që iu vra në një moshë të re

Vrasja e 28-vjeçares në parukerinë e saj në qendër të qytetit të Lezhës, ka lënë shumë dhimbje te familja e saj. Një rrëfim i dhimbshëm është dhënë dje nga shtetasi Preng Ndoka, 68 vjeç, babai i parukieres që u vra nga Alfred Nikolli. Në një intervistë të dhënë dje në emisionin “Me zemër të hapur” në “News 24”, ai ka treguar se si e mori vesh ngjarjen dhe takimin e fundit me të bijën para se të mbyllte sytë përjetë. Në rrëfimin e tij, 68-vjeçari shpjegoi se ditën e tragjedisë ishte për vizitë te krushqit. “Kisha vjehrrin e çupës me gjithë vjehrrën. Më 12 nëntor, djali im bëri 33-vjeç, më 13 nëntor djali i vajzës bënte 3 vjeç, dhe mblodhëm familjen për ta bërë bashkë festën. Krushkut i thashë se dy gjela do t’i merrja unë, një tha vjehrra unë, e do të bënim një darkë për qejf”, tha ai. Më tej vijoi: “Çfarë mendon nuk del. Duke diskutuar me krushqit, bie zilja e telefonit dy herë.

Më merr vajza dhe më pyet nëse e dija se çfarë kishte ndodhur. Më tregon për vdekjen e dy vëllezërve të një të njohurit. Në kafe prapë, bie zilja e vjehrrit. E merr e reja e tij që ishte bashkë me vajzën time, afër te floktorja, dhe i tha “ec babë se e kanë vrarë Etlevën”. U dha ulërima, ka vdekur, ai po ulërinte. I thashë gruas, gjetëm një mjet dhe dolëm në rrugë. Ndaluam një makinë të rastit dhe ikëm. Ec i thashë shoferit dhe i tregova për vajzën. Më ka çuar te spitali, sa kam shkuar atje, kam bërtitur “o babë, ça të ndodhi”. Hapi sytë e ma ka bërë me dorë dhe nuk pati më jetë. Si dhimbje është e fortë. Kërkoj nga shteti shqiptar me një vendosmëri të madhe: Çfarë i bëri vajza ime që ma vrau?”, shprehet Preng Ndoka. Ai gjithashtu hedh poshtë se vajza tij kishte një lidhje jashtëmartesore me vrasësin.

Kur e mësuat të vërtetën? 

E kam mësuar ngjarjen shumë vonë në televizion, pasi në shtëpi nuk e kemi hapur televizorin.

Policia nuk u ka ardhur në shtëpi? 

Mua më kanë ardhur vetëm mediat, askush tjetër.

Alfred Nikolli 31 vjeç… 

Nuk e njoh. Vetëm si fytyrë që e kam parë tani në televizor.

Sa kohë kishte që ishte martuar Etleva?

Ka 8 vjet që ishte martuar dhe ka djalin 3 vjeç.

Si është njohur me burrin?

Ka qenë në shkollë. Më ka pyetur për dhëndrin, nëse kemi lidhje fisnore me djalin, dhe i thashë do pyes. Pyeta dhe më thanë nuk biem gjë. Vendosa të mos ia prish, pasi djali e donte shumë. E pyeta a e ke me gjithë mend me Bardhokun? Po më tha. Ata janë njohur vetë.

Kishte lidhje dashurie mes Etlevës dhe Alfred Nikollit?

Jo nuk ka pasur asgjë. Nuk është asgjë e vërtetë. Unë i kam dhënë tërë kohën këshilla për jetën, të tre fëmijëve.

Djali i Etlevës ka qenë i pranishëm ditën e ngjarjes? 

Po sigurisht që ka qenë i pranishëm kudo. Herë pas here më pyeste : “Çfarë ka ndodhur o gjyshi?”. Ju po thoni që vajza juaj kishte 8 vite martesë me Bardhokun. Nuk kanë pasur asnjë problem me njëri-tjetrin?

Prisni ndonjë reagim nga ana e familjes Nikolli?

Po sigurisht që presim. Më kanë marrë jetën e vajzës.

Nëse ata do trokisnin në dyert tuaja, çfarë do ndodhë?

Atëherë ndryshon puna.

Do t’i pranonit të hynin në banesë? 

Nëse ata do të vinin në varrim dhe do të dënonin veprimin e djalit të tyre, sigurisht që do t’i pranoja.

Ata do ta kenë pasur shumë të vështirë këtë pjesë... 

Ta vrasin vetë me dorën e tyre, mos të më presin mua. Atë që më ka bërë djali i tyre mua, ta gozhdojnë. Ata të bëjnë dënim me vdekje.

Çfarë do të bënit nëse nuk do të ishte në burg autori? 

Ajo nuk dihet. Jemi shkatërruar dy familje, miku dhe unë. Më mirë të themi tre.

Po pretendimet e autorit, se parukeria është marrë me paratë e tij? 

Kjo nuk është e vërtetë. Se çfarë thotë ai, asgjë nuk është e vërtetë.

I keni ditur ju shqetësimet e vajzës tuaj? 

Nëse do t’i dinim, nuk do ta kishim lënë në këtë gjendje.

Kushërira: Ja çfarë i tha Alfredi, Etlevës para se ta qëllonte

Vajza e xhaxhait të Etleva Ndokës, Dorela Nikolli, është bërë dëshmitarja okulare e vrasjes së kushërirës së saj, krim që tronditi mbarë opinionin publik. Në një lidhje telefonike për emisionin "Me zemër të hapur" të News24, Dorela rrëfen momentet e tmerrit kur Alfred Nikolli hyri në parukeri dhe qëlloi disa herë me plumba, duke e lënë përtokë kushërirën e saj. Mes lotësh ajo pohon se prej kohësh Alfredi e kërcënonte që të kishin një lidhje së bashku, ndërsa hodhi poshtë lajmet në media ata kishin një lidhje bashkë. Çfarë ndodhi Dorela? Erdhi autori dhe i tha: Pse më ke paditur në polici dhe e goditi me armë.

Eva e pa dhe ai e qëlloi. Eva e denoncoi pasi ai gjithmonë e ka shqetësuar dhe ajo nuk e detyronte dot. E denoncoi në polici dhe nuk u duk më prej 6 muajsh. Pastaj erdhi te parukeria. Unë rritja tërë kohës me Evën. Ai e shqetësonte 2-3 muaj para se ajo ta denonconte. Vinte e kërcënonte në punë i bënte sjellje të pahijshme dhe kërkonte nr e tel. Nuk e di se çfarë e ka mbajtur që s’më vrau. Ai ka dashur ta vras që nga momenti që ajo e denoncoi në polici. Ai ka pasur inat me Evën se pse ajo nuk e pranonte. Mes tyre s’ka pasur asgjë. Ai e dinte se ajo ishte e martuar, ia njihte burrin. I dinte të gjitha. Nga ngjarja nuk mbaj mend më asgjë.

E ka goditur dhe ka ikur. Unë u mora me Evën, se ajo ishte e shtrirë. Bashkëshorti i Etlevës Lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 11 nëntor të këtij viti, ka reaguar edhe bashkëshorti i Etleva Ndokës, Bardhok Ndoka. Ai ka thënë se martesa me Etlevën ka ecur shumë mirë dhe, mes tyre nuk ka pasur asnjëherë grindje. "Martesa jonë nuk ka pasur asnjë lloj grindje. Kemi pasur një marrëdhënie normale. S’e di se si ka ndodhur kjo punë", është shprehur ai.

Më tej, Bardhoku ka pohuar dje se nuk ka qenë në dijeni të asnjë kërcënimi ndaj bashkëshortes së tij të ndjerë nga ana e Alfred Nikollit. Ai theksoi se në media janë thënë gjëra që nuk mund të thuheshin. “Unë nuk di asgjë nga kjo ngjarje. Më morën në telefon atë ditë dhe më thanë se ishte sëmurë. Unë nuk dija asnjë lloj gjëje. E shihja ndonjëherë të mërzitur, por më thoshte se ishte sëmurë, se i dhembte koka. Martesa jonë nuk ka pasur asnjë lloj grindjeje. Fillimisht Etleva ka pasur një tjetër parukeri, por e ndërruam.

I kemi biseduar të gjitha gjërat bashkë. Ato materiale që kemi marrë për parukerinë, i kemi dhënë (shlyer) lekët avash-avash”, është shprehur më tej bashkëshorti i 28-vjeçares së ekzekutuar në Lezhë. Ndërkohë, i pyetur nëse ishte kurioz të dinte arsyen e ekzekutimit të bashkëshortes së tij, ai ka thënë që nuk kishte asnjë kuriozitet. “Nuk jam kurioz ta di. Djali kur të rritet do ta kuptojë vet çfarë ka ndodhur. Unë do t’ia them si larg e larg”, vazhdoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat