Kokaina, pranga shqiptarit sapo mbërrin në aeroportin e Perugias

Kronikë e zezë

Kokaina, pranga shqiptarit sapo mbërrin në aeroportin e Perugias

Më: 23 janar 2017 Në ora: 10:33
Ilustrim

Një shqiptar është arrestuar në aeroportin e Perugias, sapo ka zbritur nga avioni me të cilin kishte fluturuar nga Tirana, ndërkohë që pak më pas ka përfunduar në pranga edhe vëllai i tij, i cili kishte dalë ta priste.
 
Udhëtari i ardhur nga Tirana është një 31-vjeçar, i diplomuar në Universitetin e Perugias. Pas kontrollit rutinë në mbërritje, rezultoi se shqiptari ishte i shpallur në kërkim nga policia e Perugias, e cila ditët e fundit ka shkatërruar një grup që merrej me organizimin e trafikut të kokainës.
 
Pas arrestimit të tij, policia e aeroportit ka kërkuar përforcime nga kuestura, për të identifikuar gjithë të pranishmit në zonën e pritjes në aeroport, me dyshimin se mund të kishte bashkëpunëtorë të shqiptarit. Ka rezultuar pikërisht ashtu, pasi në zonën e parkimit është vënë re vëllai i të arrestuarit, një vit më i madh, edhe ai banues në Perugia, ku punon si kamerier, gjithashtu në kërkim me të njëjtën akuzë, trafik kokaine.
 
Të dy vëllezërit, të cilët e ushtronin aktivitetin e tyre në ambientet universitare të Elces, janë shoqëruar më pas në burgun e Capannes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat