Mister për kufomën e gjetur në Durrës, dy pistat ku po heton policia

Kronikë e zezë

Mister për kufomën e gjetur në Durrës, dy pistat ku po heton policia

Më: 28 mars 2017 Në ora: 08:55
Ilustrim

Kanë qenë rojet e Policisë Kufitare që zbuluan kufomën në breg dhe e transportuan atë drejt morgut të qytetit të Durrësit.

Policia, e cila ka nisur hetimet për rastin në fjalë, bëri të ditur se deri në orët e vona, kufoma nuk është identifikuar dhe po punohet për të mësuar se kujt i përket. Sipas të dhënave nga grupi i hetimit, viktima mbante të veshur pantallona të zeza, xhup ngjyrë blu të errët, atlete ngjyrë kafe dhe jelek shpëtimi.

 Fillimisht u mendua për një person të vrarë, por pas ekzaminimeve paraprake, mësohet se nuk janë evidentuar shenja dhune te viktima, çka do të thotë se kemi të bëjmë me një trup që e ka sjellë deti.

Me këto të dhëna, Policia thotë se nuk ka asnjë person të denoncuar të zhdukur dhe paraprakisht nuk përjashtohet mundësia që të jetë edhe shtetas i huaj, ekuipazh i ndonjë mjeti lundrues.

Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se nuk përjashtohet dyshimi që viktima mund të jetë mbytur në tentativë për të trafikuar drogë.

Ky dyshim vjen edhe pas precedentëve në Vlorë në ditët e fundit, ku viktimat që janë gjetur të mbytura dyshohet se kanë lidhje me trafikun.

“Pikësëpari, nuk kemi persona të shpallur të zhdukur me të dhënat dhe karakteristiket e kufomës. Gjithashtu, fakti që mbante të veshur jelek shpëtimi, na bën të mendojmë se kemi të bëjmë me një person të huaj, pjesë e ndonjë mjeti lundrues, ose ndonjë trafikant. Në trupin e viktimës nuk kemi gjetur asnjë mjet identifikimi. Jemi në pritje se çfarë do të nxjerrin në dritë hetimet, të cilat po zhvillohen në të gjitha drejtimet. Paraprakisht dyshojmë se kemi të bëjmë me një person të mbytur, pasi nuk janë konstatuar shenja dhune, për të menduar se kemi të bëjmë me vrasje. Gjithsesi, hetimet do të tregojnë”, thanë burime nga grupi hetimor.

Sakaq, Policia ka vënë në dijeni edhe autoritetet ndërkombëtare, si dhe po verifikohen me policitë e qarqeve të tjera për persona të denoncuar si të zhdukur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat