Drogonin ‘viktimat’ me sprai narkotizues dhe u vidhnin shtëpitë, kapen 2 shqiptarët në Savona

Kronikë e zezë

Drogonin ‘viktimat’ me sprai narkotizues dhe u vidhnin shtëpitë, kapen 2 shqiptarët në Savona

Më: 1 prill 2017 Në ora: 20:17
Ilustrim

Dy shqiptarë, Eduart Biba, 33 vjeç dhe Adriatik Manjani, 27 vjeç janë arrestuar nga karabinierët në Savona. Dy të rinjtë akuzohen si autorë të një sërë vjedhjesh në apartamente në Legino dhe Vado Ligure.

Sipas hetimeve të kryera nga karabinierët, dy shqiptarët identifikonin shtëpitë për t’i plaçkitur dhe nëse pronarët ishin në banesë ata i drogonin me një sprai narkotizues. Për të mos u dalluar nga policia ata e parkonin motorin me të cilin lëviznin në një distancë të largët nga shtëpitë që donin të vidhnin.

Gjatë arrestimit, karabinierët iu kanë gjetur 2 mijë euro cash dhe ar të vjedhura në shtëpinë e një të moshuare në Vado Ligure. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën ku qëndronin janë gjetur dhe sekuestruar 4 telefona celularë, 3 ora dhe 2 tabletë.

HETIMET
Një operacion i mundimshëm që zgjati disa muaj ka bërë të mundur që karabinierët të mbërrinin tek dy hajdutët shqiptarë.

Sipas grupit hetimor të koordinuar nga majori Dario Ragusa bashkë me skuadrën e lëvizshme të drejtuar nga togeri Mario Ettore Grasso, 33-vjeçari Biba kishte precedent penalë për tentativë vrasje. Dy shqiptarët kishin tentuar të arratiseshin ndërsa ndiqeshin nga policia duke qëlluar madje disa prej policëve.

Bashkëpunimi aktiv i qytetarëve ka lehtësuar hetimin: prania e dy kriminelëve ishte raportuar në disa zona që ishin prekur nga vjedhjet. U gjurmua edhe motoçikleta e markës “Sym” që ishte e regjistruar në emër të një qytetari italian dhe bashkë me sinjalizimet e tjera plotësuan kuadrin e hetimeve duke arritur në zbulimin dhe kapjen e dy shqiptarëve.

MASKIMI
Në sajë të hetimeve rezultoi se shqiptarët i kryenin vjedhjet me veshje të errëta, maska si dhe përdornin si mjete pune, një shufër stërvitjeje dhe një levë. Hetimet janë duke vazhduar pasi policia dyshon se pas dy shqiptarëve fshihet një rrjet i tërë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat