Krisin armët në qendër të Prishtinës, plagosen dy persona

Kronikë e zezë

Krisin armët në qendër të Prishtinës, plagosen dy persona

Më: 11 prill 2017 Në ora: 19:14
Foto ilustrim

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka konfirmuar se rreth orës 03:30 ka pasur të shtëna me armë zjarri në qendër të Prishtinës, me ç’rast dy burra janë plagosur, kurse tre persona janë të dyshuar për këtë rast.

Të dyshuarit Policia thotë se janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë BMW, ngjyrë të zezë.

“Rreth orës 03:30 në rr. ‘Fehmi Agani’ në Prishtinë ka pasur të shtëna me armë zjarri ku si pasojë e të shtënave lëndime kanë pësuar 2 persona, dhe me këtë rast tre persona janë të dyshuar”, ka thënë Hoxha.

Hoxha më tutje thotë se, “gjatë largimit me veturën e tyre të dyshuarit kanë dëmtuar edhe tri vetura të tjera, të cilat kanë qenë në lëvizje”.

Njëri nga të plagosurit është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, dhe është jashtë rrezikut për jetë, kurse tjetri është lënduar lehtë.

“Njëri nga viktimat ka marrë lëndime nga arma e zjarrit në kraharor dhe në dorë, i cili është dërguar në QKUK dhe është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa viktima tjetër ka marr gërvishtje të cilat poashtu dyshohet se janë nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja”, ka thënë Hoxha.

Policia më tutje thotë se në lidhje me rastin është njoftuar njësiti hetuesisë dhe teknikës kriminalistike, të cilët kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes si dhe hetimet intensive vazhdojnë të bëhen nga njësitet kompetente policore.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të rasti iniciohet “vrasje në tentativë dhe dëmtim prone, thotë PK.

Hoxha ka konfirmuar se është arrit që vetura, me të cilën të dyshuarit kanë ikur, të konfiskohet në Gjakovë, transmeton albanews.ch.

“Si rezultat i angazhimeve hetimore dhe operacionale të Policisë së Kosovës është arritur që vetura me të cilën të dyshuarit kanë ikur dhe dyshohet se është përdorur në këtë rast të identifikohet dhe e njëjta është gjetur dhe konfiskuar në Gjakovë”, ka thënë Hoxha.

Policia është në proces të realizimit të hetimeve për sqarimin e rrethanave të rastit në tërësi dhe në konsultim me prokurorinë do të ndërmerren vendime adekuate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat