Dëshmia tronditëse e burrit shqiptar që vrau gruan, tregon çfarë kishte ndodhur

Kronikë e zezë

Dëshmia tronditëse e burrit shqiptar që vrau gruan, tregon çfarë kishte ndodhur

Më: 9 maj 2017 Në ora: 11:10
Beqir Xhilaj

Zbardhen detaje nga krimi në familje në Shkodër. Pas tri divorceve dhe një gruaje të vrarë disa vite më parë, 74- vjeçari qëllon për vdekje edhe bashkëshorten aktuale, e cila ishte martesa e tij e pestë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Guci e Re, në njësinë administrative Rrethina.

Beqir Xhilaj qëlloi gjatë natës me çifte 47-vjeçaren Lumturie Xhilaj, duke e lënë të vdekur në vend. Ka qenë ora 00:05 kur i moshuari, pas një sherri me bashkëshorten, ka marrë armën.

Ai ka qëlluar katër herë në drejtim të saj, ku tre prej plumbave e kanë prekur viktimën në trup. E ndjera ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi një plumb e ka kapur në qafë dhe dy të tjerë në gjoks.

Pas krimit të rëndë, Beqir Xhilaj e ka mbuluar me batanije trupin e bashkëshortes së tij dhe është ulur në një tavolinë në verandë duke pirë raki. Sipas Policisë, arsyet e vrasjes së 47-vjeçares janë të paqarta, por mendohet se ka ardhur pas një debati mes çiftit. 74-vjeçari i dyshuar si një person me prirje agresive, (është arrestuar disa vite më parë për vrasjen e një prej grave të tij, por më pas çështja u mbyll si vetëvrasje), nuk ka duruar, por ka marrë çiften duke vrarë të shoqen.

Kanë qenë banorët e tjerë ata që, pasi dëgjuan krismat, kanë lajmëruar policinë, duke dyshuar se diçka mund të ketë ndodhur në familjen Xhilaj. Pas vrasjes, Beqir Xhilaj nuk ka bërë asnjë tentativë për t’u larguar, por ka qëndruar aty derisa kanë mbërritur forcat e rendit. Sapo kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, forcat e policisë fillimisht kanë konstatuar që në trupin e viktimës kishte tre plumba.

Në momentin e parë, efektivët janë habitur kur kanë parë se bashkëshorti i saj po pinte raki, ndërsa pak metra larg tij ishte trupi i pajetë. Ata sekuestruan armën e zjarrit çifte, të cilën 74-vjeçari e dispononte me leje prej disa vitesh dhe e përdorte në ditët e zakonshme si armë gjahu.

Dëshmia

Gjatë marrjes në pyetje, fillimisht ai ka mohuar se është autor i krimit. Efektivët e kanë pyetur se çfarë ka ndodhur dhe Beqir Xhilaj ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka vrarë veten, por ky version ka rënë menjëherë poshtë, sepse 47-vjeçarja është qëlluar me çifte teke tri herë dhe ka qenë e pamundur që të vrasë veten, pasi çiftja duhet mbushur në mënyrë manuale pas çdo të shtëne, shkruan Panorama.

Policia shoqëroi në komisariat 74-vjeçarin, nga ku gjatë marrjes në pyetje pranoi se është ai autor i vrasjes së gruas, Lumturie Xhilaj. Në dëshminë e tij në polici, ai ka thënë se arsyeja e vrasjes ka qenë një debat i momentit mes tyre.

Pasi kanë debatuar, ai ka treguar se nuk ka mundur të durojë dhe ka marrë çiften duke qëlluar në drejtim të saj. I moshuari është arrestuar menjëherë për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa çështja pritet t’i kalojë Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat