Sulmohet me armë makina që transportonte 1 milion euro

Kronikë e zezë

Sulmohet me armë makina që transportonte 1 milion euro

Më: 17 maj 2017 Në ora: 11:30
Ilustrim

Një tentim grabitje e armatosur e parave ka ndodhur para pak minutash afër kufirit të Jarinjes, brenda territorit të Kosovës, bëjnë të ditur burime.

Sipas këtyre burimeve, disa persona kanë dalë nga automjeti ‘Chrysler’ ngjyrë hiri dhe kanë shtënë me armë në drejtim të makinës së blinduar që transportonte para nga Serbia në Leposaviq dhe shoqëruesve të saj.

 “Transporti që shoqërohet nga ana e policisë së Kosovës prej kufirit e këndej, ka hasur në sulm të armatosur rreth 300 metra larg nga kufiri në territorin e Kosovës. Sulmuesit kanë pasur për qëllim grabitjen e parave. Ka pasur të shtëna nga të dyja palët që kanë zgjatur disa minuta . Nuk dihet nëse ka të vrarë dhe të plagosur, si dhe nëse sulmuesit kanë arritur të grabisin paratë”, kanë thënë burimet, duke shtuar se në automjetin e blinduar ka pasur valuta në euro dhe dinarë në vlerë rreth 1 milion euro.

Policia e Kosovës konfirmon rastin duke thënë se është tentuar që të grabisin para, por nuk dha më shumë detaje tjera.

 Besim Hoti nga stacioni policor i veriut, tha për KosovaPress, se tashmë Policia e ka krijuar “unazën e çeliktë’ në kërkim të të dyshuarve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat