Humbi gjyqin e pensionit, gjendet i vetëvaruar burri në Shkodër

Kronikë e zezë

Humbi gjyqin e pensionit, gjendet i vetëvaruar burri në Shkodër

Më: 12 qershor 2017 Në ora: 09:50
Ilustrim

Është gjetur pa jetë nga familjarët e tij 66-vjeçari, Muhamet Tahiri që humbi kontaktet 2 ditë më parë. Ai është gjetur i pajetë në një pyll vetëm 1 km larg banesës së tij. Tahiri është vetëvarur në një zonë të pyllëzuar rreth 500 metër larg rrugës kryesore Gur i Zi-Mjedë. Muhamet Tahiri, 66 vjeç nga fshati Ganjollë i Njësisë Administrative Gur i Zi, i cili humbi kontaktet me familjarët 2 ditë më parë është gjetur i pajetë mesditën e së dielës në malin e Ganjollës, rreth 1 km larg banesës së tij.

Tahiri u gjet në mesditë nga vetë familjarët, të cilët ishin në kërkim të tij prej 40 orësh. Ai pasi ka mbërritur në mal, pikërisht në tokën e tij, ka përdorur një tel me gjatësi rreth 1 metër, rripin e pantallonave dhe një litar të hollë për t’u vetëvarur. Teli ishte i lidhur në një pemë të shkurtër, ndërsa viktima është gjetur gjysmë i shtrirë. Akoma nuk dihen shkaqet konkrete që çuan 66-vjeçarin në vetëvrasje, ndërsa familjarët bëjnë me dije se ditët e fundit po kalonte një gjendje të rënduar psikologjike. Sipas këtyre të fundit arsyeja që e ka çuar të vrasë veten është humbja e një çështjeje gjyqësore, çka ka ndikuar që Tahiri të mos merrte masën e pensionit.

Ndërkohë, para 6 vitesh Muhamet Tahiri kishte humbur në një aksident automobilistik njërin nga djemtë si dhe prej 4 muajsh jetonte pa energji elektrike, shkaqe të tjera që sipas familjarëve e kanë çuar deri në vetëvrasje. Grupi hetimor, i cili mbërriti në vendin e ngjarjes bëri matjet e nevojshme si dhe verifikimin rrethanave të vetëvrasjes. Edhe pse 2 orë me vonesë, në vendin e ngjarjes mbërriti urgjenca e spitalit, e cila u përdor për të dërguar trupin e pajetë të viktimës deri në ambientet e morgut.

Familjarët e viktimës Vëllai i Muhamet Tahirit, Shuajbi është personi i fundit që e ka takuar dhe sipas tij Muhamedi i ka thënë ti po e gëzon pensionin ndërsa unë jo, më sorollasin dhe nuk ma japin. Sipas familjarëve , mos dhënia e pensionit të pleqërisë e ka rënduar gjendjen e tij psikologjike. Ai kishte shkruar dy letra ankese në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe Avokatit të Popullit por kur ka shkuar në institucionin përkatës janë tallur me të duke i thënë: “Shkruaj letra përsëri”. Muhamet Tahiri jetonte në banesë vetëm me bashkëshorten e tij. Një djalë e ka të martuar por nuk jetojnë bashkë, po kështu dhe një vajzë e ka të martuar.

Para 6 vitesh atij i kishte vdekur një djalë aksidentalisht në Greqi ku jetonte si emigrant ndërsa ka dhe një djalë tjetër emigrant në Itali i cili pritej të vinte në Shqipëri, madje kishte prerë biletën e kthimit, pohojnë familjarët. Policia vetëm ka marrë një deklarim të djalit të Muhametit, një fotot të të zhdukurit dhe u ka thënë se në rast se e gjeni na lajmëroni.

Muhamet Tahiri përveç gjendjes depresive që po kalonte kishte dhe problem shëndetësore fizike pasi vuante nga tromboza në këmbë. Kur është larguar, celularin e ka lënë në banesë. Të vetmit që po kërkojnë 66-vjeçarin Tahiri janë bashkëfshatarët e tij. Ata kanë nisur kërkimet në kanalin vaditës të Ganjollës dhe fshatin Vukatanë, por akoma nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat