Vrasja e dy zyrtarëve të UNMIK-ut, arrestohen disa persona

Kronikë e zezë

Vrasja e dy zyrtarëve të UNMIK-ut, arrestohen disa persona

Më: 5 korrik 2017 Në ora: 14:07
Ilustrim

Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës kanë zhvilluar sot një operacion kërkimi në lokacione të ndryshme të vendit, me ç’rast janë arrestuar katër persona, dy prej tyre me urdhër të gjykatësit, ndërsa dy të tjerë për posedim të paligjshëm të armëve.

Operacioni është zhvilluar si pjesë e hetimeve penale në vazhdim nga PSRK, ku janë ekzekutuar urdhra të dhënë nga një gjyqtar i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore e Prishtinës. 

Siç thuhet në komunikatën e Këshillit Prokurorial të Kosovës, një person tjetër pritet të ekstradohet nga një shtet i jashtëm dhe të arrestohet gjatë ditës.

Në këtë operacion kanë marrë pjesë rreth 35 zyrtarë policorë ndërkombëtarë dhe 100 zyrtarë policorë nga Kosova, në lidhje me shtatë të dyshuar pjesë e hetimeve penale në vazhdim e sipër. 

Këto hetime kanë të bëjnë me vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të UNMIK-ut dhe me tentim-vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të tjerë të UNMIK-ut në vitin 2004. 

Rasti është duke u hetuar dhe bashkërenduar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Urdhrat për arrestimet dhe kërkimet janë dhënë nga një gjyqtar i Kosovës për procedurë paraprake.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat