Sekuestrohen 4 kg heroinë dhe 32 kg Cannabis Sativa, dy të rinj nga Shkodra shpallen në kërkim

Kronikë e zezë

Sekuestrohen 4 kg heroinë dhe 32 kg Cannabis Sativa, dy të rinj nga Shkodra shpallen në kërkim

Më: 17 korrik 2017 Në ora: 12:21
Droga e sekuestruar

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, Drejtoria Rajonale Për Kufirin dhe Migracionin Shkodër në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve kanë goditur një tjetër rast të tentativës për trafik të lëndëve narkotike.

Policia e Shkodrës bën me dije se pasi ka marrë  informacion  në rrugë operative  se në vendin e quajtur “Bukoviç”, Njësia Administrative Kastrat, Malësi e Madhe, rreth 100-150m larg kufirit të gjelbër, dy po transportonin lëndë narkotike në drejtim të Malit të Zi, ka organziuar operacionin për kapjen e tyre.

Shërbimet e Policisë Kufitare janë vënë në ndjekje të tyre si dhe kanë kërkuar mbështetje me forca të tjera ku është njoftuar edhe Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore  të Policisë Shkodër.

Dy personat që po transportonin lëndën narkotike sapo kanë diktuar se po ndiqeshin nga Policia kanë braktisur lëndën narkotike dhe duke përfituar nga terreni i vështirë malor dhe me shkurre të dendura, kanë arritur t’i shpëtojnë ndjekjes së  Policisë.

Grupi hetimor ka gjetur në vendngjarje dy thasë ku brenda tyre kishte lëndë narkotike dhe pas peshimit rezultuan me peshë 32 kilogramë  Cannabis Sativa.

Gjithashtu në afërsi të thasëve u gjetën dhe dy qese plastmasi me lëndë narkotike, ku pas peshimit rezultuan 4 kilogramë 124 gr të llojit Heroinë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa policia bën me dije se bazuar edhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative ka shpallur në kërkim dy të rinj nga Shkodra ku për arsye hetimi nuk jepen të dhëna të mëtejshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat