I çanë aortën: Si u vra djali i vetëm i atletit të njohur shqiptar

Kronikë e zezë

I çanë aortën: Si u vra djali i vetëm i atletit të njohur shqiptar

Më: 2 gusht 2017 Në ora: 14:17
Marvin Mihali

Sherri për një aparat celular mes disa të rinjve përfundoi tragjikisht mesnatën mes së hënës dhe të martës në kryeqytet. Marvin Mihali, 22 vjeç, u plagos me thikë pranë stadiumit “Dinamo”, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, por humbi jetën disa orë më pas në spital si pasojë e plagëve të marra.

Policia arrestoi 24-vjeçarin Eugen Bitraj si autor të vrasjes, si dhe 3 bashkëpunëtorët në krim, Dejvi Bitraj, 19 vjeç, dhe Kridens e Marsel Alla, 19 dhe 23.

Sipas informacioneve zyrtare, viktima fillimisht është konfliktuar me 19-vjeçarin Dejvi Bitraj, i cili më pas ka thirrur kushëririn e tij, Eugenin dhe pas përleshjes fizike është përdorur edhe një mjet prerës.

Sipas burimeve policore, viktima i ka kërkuar Bitrajt që t’i dorëzonte edhe karikuesin e telefonit, të cilin ia kishte shitur dhe në këtë moment ka nisur sherri.

Autori dyshohet se e ka hedhur thikën në Lanë, ndërsa policia ushtroi kontrolle në mëngjes herët por pa mundur të gjejë armën e krimit.

Katër të rinjtë e vënë në pranga akuzohen për “vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim”.

Vrasja e 22-vjeçarit Marv Mihali pas një sherri banal me thika pranë stadiumit “Selam Stërmasi” në Tiranë ka tronditur mbarë opinionin publik dhe jo pa të drejtë, pasi ai u masakrua vetëm për një karikues celulari.

Marvi ishte djali i vetëm i atletit të njohur shqiptar, Pavllo Mihali, i cili prej vitit 1983 mban rekordin në kërcimin me shkop (5.21 metra).

Ai tregon për “Shekulli-n”, se Marvi u sulmua nga grupet e gangsterëve, duke i çarë aortën.

Pavllo Mihali thotë se djali i tij nuk kishte asnjë njohje me sulmuesit e tij.

“E vërteta është sipas organeve të policisë. Për Marvin shkruajnë shokët e vet të shkollës, si djalë model dhe shembullor. Grupet e gangsterëve i ranë me thikë duke i çarë aortën, ata ishin 10-15 veta, kurse djali im ishte vetë i dytë. Marvi nuk i njihte. Një shok i Marvit ja kishte shitur vagabondëve celularin. Shoku thërret Marvin nga lokali. Marvi nuk u përfshi në sherr, 3 grupet erdhën dhe i sulmuan këta të dy. Marvit ia ngulën thikën!”, rrëfen rekordmeni.

Kurse kushëriri i tij ka rrëfyer për JOQ, versionin e ngjarjes, duke thënë se Marvi nuk ishte përfshirë në asnjë konflikt, por vetëm sa i shkoi në ndihmë një shokut të tij.

“Marvi rreth ores 9 te mbremjes ka qene ne nje bar duke pire kafe me dy shoqe dhe nderkohe nje shoku i tij e ka telefonuar dhe i ka kerkuar qe ta shoqeronte ate tek nje djalosh qe shoku i Marvit i kishte blere nje telefon celular pasi telefoni qe shoku i marvit kishte blere nuk i punonin disa aplikacione dhe karikuesi i tij. Marvi ka qene thjeshte shoqerues. Pas nje dialogu mes shokut te Marvit dhe krimineleve debati eshte ndezur ku agresoret kane goditur shokun e Marvit me nje tulle diku mbas kokes dhe fatkeqesisht Marvi mori nje goditje fatale nga agresori ku e ka qelluar me thike te llojit flutur duke bere te mundur qe thika te preke aorten e zemres se ciles Marvit i ka shkaktuar vdekjen”, tregon kushëriri i tij.

Djali deklaron se ka qenë djali i dajës së viktimës ai që e ka transportuar atë për në spitalin Ushtarak të Tiranës me një makinë kalimtare.

“Madje kur cuni i dajes e ka cuar me duart e tij tek ushtaraku ku ka heq bluzen per ti bllokuar gjakun, e ka derguar me makine te rastit. Kur e coi aty policia e ka arrestuar duke menduar se ishte dhe ai njeri prej agresoreve. Ju lutem postojeni pasi e di qe nuk do i prehet shpirti kur do futet ne banesen e fundit ne Tufine….ju lutem dua qe njerezit ta dine”, shton ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat