Arrestohet efektivi 32 vjeçar... u jepte informacion trafikantëve për lëvizjet e policisë

Kronikë e zezë

Arrestohet efektivi 32 vjeçar... u jepte informacion trafikantëve për lëvizjet e policisë

Më: 30 gusht 2017 Në ora: 17:32
Ilustrim

Një 32 vjeçar është prangosur këtë të mërkurë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pasi dyshohet se u jepte informacion trafikantëve për lëvizjet e policisë.

Arrestimi ka ndodhur në Delvinë, ku në pranga ka rënë Shpëtim Kripa, nënkomisar me detyrë specialist për Hetimin e krimeve në komisariatin e qytetit.

Policia sqaron përmes një njoftimi se ky efektiv policie u jepte informacion trafikantëve se ku do të shkonte policia dhe ku do të kryheshin aksionet anti drogë.

Hetimet vijojnë ende për të zbuluar nëse ka të tjerë policë të përfshirë në këto raste flagrante të shkeljes së ligjit.

Njoftimi i policise

Delvinë

SHÇBA arreston punonjësin e policisë, dyshohet se informonte kultivues e trafikues droge

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë kanë ndaluar punonjësin e Policisë N/Komisar Shpëtim Kripa, 32 vjeç, me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë së Delvinës.

Ndalimi u krye pas një hetimi me metoda speciale për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Dyshohet se ky punonjës policie në disa raste ka bashkëpunuar me shtetas të dyshuar për veprat penale të kultivimit, magazinimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në zonën e Sarandës dhe Delvinës. 32-vjeçari dyshohet se u jepte këtyre personave informacion mbi veprimet policore që kryheshin në kuadër të luftës kundër lëndëve narkotike.

Vazhdojnë hetimet për të zbuluar nëse ka punonjës të tjerë të Policisë të përfshirë në këtë aktivitet.

SHÇBA fton qytetarët që për çdo rast që kanë dijeni apo konstatojnë se punonjësit e Policisë e Shtetit kryejnë veprime të kundraligjshme të telefonojnë në numrin pa pagese 0800 90 90.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat