Del foto e burrit që vrau gruan e tij: Nuk jam bërë pishman

Kronikë e zezë

Del foto e burrit që vrau gruan e tij: Nuk jam bërë pishman

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 13:26
Pogradec

Bashkim Mekolli është 49-vjeçari që vrau dje në mënyrë makabre gruan e tij, Demirkë Mekolli, në shtëpinë ku jetonte bashkë me babain, që i kishte strehuar për shkak të varfërisë.

Ai është arrestuar menjëherë nga policia pas ngjarjes dhe është dërguar në Policinë e Korçës. Ndonëse kishin një djalë 16-vjeçar, Mekolli deklaron para policisë se ka qenë xheloz dhe se bashkëshortja nuk i jepte llogari. Ai thotë se sherri me të shoqen ka nisur që darkën e së shtunës, ndërsa të dielën nuk ka duruar dot duke kryer aktin e rëndë.

“Nuk jam bërë pishman për atë që bëra. Ne grindeshim çdo ditë, dyshoja se ajo me tradhtonte”,- ka thënë ai.

Image
Bashkim Mekolli

Dëshmi shokuese ka dhënë edhe vjehrri i viktimës, i pari që e gjeti të shtrirë e të mbuluar me gjak në mes të shtëpisë.

“Kur e gjeta me thikë në dorë, vinte vërdallë e më thoshte që varrimi të bëhet në Lushnjë, se atje ka prindërit. Nuk e di si ndodhi, nusen e kisha shumë të mirë, të urtë e punëtore”, ka thënë babai i autorit.

Djali i vetëm i Bashkim dhe Demirkë Mekollit ndodhet në Itali te të afërmit e gruas së vrarë. Ata kishin gjetur si mundësi të vetme për ta larguar nga situata e vështirë ekonomike dhe i kishin dhënë edhe mundësinë e vazhdimit të shkollës në shtetin fqinj.

Prej disa muajsh Bashkimi dhe Demirka kishin autorizuar motrën e viktimës përmes një prokure që ta merrte djalin në Itali dhe të vazhdonte jetesën atje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat