Për vrasjen në diskotekën “City Club” dëshmoi polici

Kronikë e zezë

Për vrasjen në diskotekën “City Club” dëshmoi polici

Më: 26 shtator 2017 Në ora: 00:51
ilustrim

Në gjykimin e Granit Elshanit, i akuzuar për vrasje dhe tri vrasje në tentative në diskotekën “City Club“ në Pejë, ka dëshmuar edhe oficeri i Policisë, Dafnis Curri, i cili kishte qëlluar në vendin e ngjarjes, si mysafir, në momentin e incidentit.

I pyetur nga prokurori se në cilën pjesë të diskotekës ishte dhe çfarë pa në momentin e incidentit natën e 2 janarit 2010, Curri tregoi se po qëndronte në katin e dytë të diskotekës së bashku me një shok të tij dhe në një moment u hap pullazi dhe filluan fishekzjarre.

“Me t’u mbyllur pullazi filluan të shtëna dhe posa ktheve kokën pash një person tek rrezohej nga bina, si dhe një person tjetër i cili në duar mbante dy pistoleta dhe qëllonte në drejtime të ndryshme”, tha togeri Curri.

Po ashtu, me kërkesë të prokurorit ai bëri edhe përshkrimin e personit që gjuajti me pistoleta dhe tregoi për veprimet të cilat i ndërmori më pas.

“Ishte djalë i ri, veshur në të zeza dhe me kapele në kokë e cila ia hijezonte fytyrën. Kishte gjatësi mesatare, më tepër nuk më kujtohet. Menjëherë pas të shtënave kam tentuar të dal poshtë dhe t’i vihem nga pas mirëpo nuk arrita ngase një pjesë e madhe e të pranishmëve kishin ardhur te shkallët e që më pamundësuan ta ndiqja. Pastaj raportova rastin dhe u mundova që t’i ruaja provat në vendin e ngjarjes”, tha dëshmitari.

Granit Elshani akuzohet për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje të rënda, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Që të gjitha këto pika të akuzës, sipas Prokurorisë, janë konsumuar natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë.

Javën e kaluar kanë dëshmuar edhe policët Riza Mahaj, Shpejtim Tafili, Ismet Fetaj, Hasan Buqaj, Shpend Berisha dhe Besnik Shabi, vëllai i të vrarit Besart Shabi. /Kallxo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat