Skandali me koncesionet e plehrave, kush është personi që ka përfituar miliona

Kronikë e zezë

Skandali me koncesionet e plehrave, kush është personi që ka përfituar miliona

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 20:51
Klodian Zoto

Një personazh enigmatik dhe i padëgjuar ndonjëherë, arriti të merrte plot 178 milionë euro konçesion brenda 2 viteve, me kompani të sapo krijuara dhe me kapital qesharak. Me vetëm një zyrë tek kulla Sky Toëer dhe skemave të krijimit të kompanive fantazëm, Zoto arriti të “bindë” disa ministra përfshirë edhe kryeministrin për të drejtën ekskluzive të ndërtimit të inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Tpz.al zbuloi se Klodian Zoto ka të regjistruar mbi 7 aktivtete tregtare të hapura pas vitit 2010 dhe të gjitha me kapitale të papërfillshme nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë të reja. Kompanitë e Zotos, që kanë një adresë të përbashkë, zyrën 13/2 tek Sky Toëer, kryesisht janë fokusuara në ndërtimet e impianteve, telekomunikacion, konsulencë juridike, import gomash dhe makinash, ndërtime urash dhe kontroll teknik të pajisjeve dhe impianteve.

Por Zoto ka edhe një sërë kompani të tjera, të hapur në emër të punonjësve të tij ose ish ortakë në bizneset e mëparshme. Me këtë lloj skeme, për të humbur gjurmët, “biznesmeni misterioz” ka arritur të fitojë miliona euro kontrata koncesionare me shtetin shqiptar. Klodian Zoto ka regjistruar 7 vjet më parë kompaninë ”Integrated Technology Services”,  me fokus në ofrimin e shërbimeve IT dhe është pikërisht kompania që shfaqet në të treja koncesionet e incineratorëve: Në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Ai arriti ta ngrejë këtë kompani me vetëm 100 mijë lekë kapital (1 milion lekë të vjetra) në vitin 2010, duke e çuar në 10 milionë euro të ardhura në vitin 2017. I çuditshëm është fakti se kur Zoto ka themeluar kompaninë që po bën sot miliarda, nuk e ka patur fare si objekt të kompanisë së tij djegien e plehrave apo ndërtimin e incineratorëve.

3 konçesione në 1 dorë

Ndërtimi i inceneratorëve në Shqipëri, nis në vitin 2014, ku një kompani e Albtek Energy sh.p.k, e cila ishte strehuar në zyrën 13/2 të Sky Toëer, të Klodian Zotos, i dërgon një letër qeverisë për një koncesion të pakërkuar, për ndërtimin e një inceneratori në qytetin më të ndotur të Shqipërisë, në Elbasan. Pas pak javësh, Albtek Energy u shpall “fituese” e një gare pa konkurentë, me vlerë rreth 22 milionë euro dhe nënshkroi me qeverinë kontratën e bashkëpunimit për ndërtimin e inceneratorit në Elbasan. Pas një viti të plotë, në 25 gusht 2015, kur çdo procedurë ligjore me qeverinë kishte përfunduar, Albtek Energy sh.p.k. doli nga Zyra 13/2 në godinën Sky Toëer. Tpz.al zbulon nga dokumentat se në të njëjtën zyrë ishte strehuar edhe edhe një tjetër kompani, Integrated Technology Service sh.p.k., me administrator dhe pronar të vetëm Klodian Zoton. Në tetor 2015, kompanitë njoftuan secila më vete çeljen e një adrese të dytë, që ndodhej çuditërisht në të njëjtin vend: “Kantieri i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan”. Ndërkohë, ashtu si Albtek Energy sh.p.k një vit më parë, kompania Integrated Technology Service sh.p.k i dërgoi qeverisë një letër, ku i kërkoi të ndërtonte një incenerator, por kësaj here në Fier. Qeveria u vu menjëherë në lëvizje dhe në shtator të 2016, Integrated Technology Service sh.p.k  në konsorcium me një kompani italiane Energy Srl, konkuroi e vetme dhe u shpall fituese, duke siguruar të drejtën për të ndërtuar inceneratorin e Fierit, me vlerë 28 milionë euro. Më pas, ky konsorcium që fitoi koncesionin, transferuan këto të drejta një tjetër kompanie, të sapothemeluar: Integrated Technology Ëaste Treatment Fier sh.p.k., e cila kishte të njëjtën adresë, zyrën 13/2 në kullën Sky Toëer në Tiranë. Në kompaninë e re Integrated Technology zotëronte 70 për qind të kapitaleve të shoqërisë së re, duke “ia shitur” pjesën tjetër të kapitaleve prej 30 % një kompanie tjetër, për 250 dollarë. Ortaku i ri ishte Ndërtim Montim Patos sh.p.k.”, pra një investim me vlerë rreth 9 milion euro ishte shitur për 250 dollarë. Skandali thellohet edhe më tej, pasi kompania që do të ndërtojë inceneratorin e Fierit, Integrated Technology Ëaste Treatment Fier, ka përfituar deri tani 11 pagesa në para prej Ministrisë së Mjedisit me vlerë mbi 6.5 miliardë lek, edhe pse ndërtimi në fjalë nuk ka filluar ende, për shkak se banorët e zonës e refuzojnë ndërtimin e tij.

Por Integrated Technology Service sh.p.k nuk ngopet me koncesionet e inceneratorëve. Në një konsorcium me dy kompani të tjera guackë në Hollandë, i dërgon qeverisë një letër të dytë, ku i kërkon një incenerator tjetër, por këtë radhë në Tiranë dhe, natyrisht, më të madh. Qeveria vihet përsëri menjëherë në lëvizje dhe shpall tenderin për ndërtimin e inceneratorit duke favorizuar paraprakisht njërën prej këtyre kompanive guackë Integrated Energy B.V, me disa pikë bonus. Edhe tek kjo kompani e huaj, Klodian Zoto rezultonte themelues. Pak javë më parë, Tpz.al vuri re në Agjencinë e Prokurimeve e Publike rezultatin e këtij tenderi për inceneratorin e Tiranës dhe fitues ishte Integrated Technology Service sh.p.k së e Klodian Zotos, bashku me dy ortakët e saj do të ndërtojë Inceneratorin e Tiranës, me një vlerë marramendëse prej 128 milon eurosh. Brenda një periudhe dy vjeçare, Klodian Zoto, pa asnjë eksperiencë dhe i dalë nga hiçi, siguroi një sërë kontratash prej qindra milionë euro, siguroi të drejtën për incenerimin e mbetjeve në më shumë se gjysmën e vendit, siguroi të drejtën për të prodhuar dhe për të shitur energji elektrike, siguroi të drejtën për të shitur mbetjet e riciklueshme si dhe përfitoi falas mijëra hektarë tokë publike në favor të bizneseve të saj.

Edhe bashkëshortja, biznes inceneratorësh

Sipas verifikimeve të Tpz.al, edhe bashkëshortja e biznesmenit misterioz, Klodian Zoto, ka hapur një aktivitet për ndërtim inceneratorësh, landfillesh dhe trajtim të mbejteve urbane. Ilza Zoto, është aksionere 25 % të kapitalit, në kompaninë EDARIL & CO ALBANIA, e themeluar në korrik të 2017. Adresa e biznesit të bashkëshortes së Klodian Zoto, është tek “Njësia Bashkiake nr.5, Bulevardi “Bajram Curri”, Palaltet Agimi, Shk/4, kati /3, Ap/68″. Pikërisht, në të njëtën adresë, është edhe një kompani e quajtur C.G.C sh.p.k., pronarja e së cilës ishte  Stela Gugallja, pikërisht biznesmenia e cila, në 2015 ka fituar inceneratorin e Elbasanit me kompaninë Albtek Energy sh.p.k. Po në të njëjtën zyrë, ndodhet edhe kompania ECOALB FR, e cila është në pronësi të znj. Sevi Zani, e cila, ka qënë më përpara juriste pranë kompanisë Integrated Technology Service, të Klodian Zotos. Kompania e znj. Zani kishte marrë 10 % të pikëve bonues nga Ministria e Mjedisit për ndërtimin e inceneratorit të Fierit. Por pas marrjes së këtij bonusi, ECOALB FR i shet të gjitha aksionet tek biznesmeni misterioz, Klodian Zoto. Ndërkohë sipas investigimit të Tpz.al, në pronësi të bashkëshortes së Klodian Zotos, Iza Zoto, është edhe një Bar Restorant i njohur pranë “Urës së Tabakëve”. Lokali i quajtur Stonebridge Bar, gjendet në një godinë e cila është në pronësi të biznesmenit socialist Safet Gjici. Ngjitur me lokalin Stonebridge Bar, është edhe Taverna Zoto, e cila është në emrin e Agim Zotos, babait të Klodian Zotos. Si lokali por edhe taverna, janë hapur në vitin 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat