I bëri "zbor" policisë shqiptare, kapet në Mal të Zi gomonia që do ngarkohej me drogë në Vlorë

Kronikë e zezë

I bëri "zbor" policisë shqiptare, kapet në Mal të Zi gomonia që do ngarkohej me drogë në Vlorë

Më: 6 janar 2018 Në ora: 18:17
Gomonia me droge

Bllokohet pas 24 orësh në ujërat malazeze gomonia me tre trafikantë në bord.

Asnjë nga trafikantët nuk është shqiptar, pasi të tre raportohet se janë nga Mali i Zi. Ata kanë hedhur bidonat që kishin në gomone dhe celularët në det të hapur për të humbur gjurmët pas ndjekjes. 

Operacioni ka nisur para 24 orësh, ndërsa në lëvizje u vendosën tre shtete, Shqipëria, Italia dhe Mali i Zi. Gomonia kishte ardhur në Vlorë për t’u ngarkuar me drogë, por u pikas nga autoritetet, të cilat u vendosën në ndjekje.
 Gomonia rreth 3 m e gjatë, me dy motorë u konstatua dje rreth orës 13:50 që lëvizte me shpejtësi në drejtim të Mezo-kanalit, Sazan, ndërsa në zonën e Karaburunit policia ka gjetur të fshehur rreth 28 kg kanabis, të fshehur midis shkëmbinjve.

Dyshohet se gomonia do ngarkohej me lëndë narkotike, pasi nga pamjet filmike të policisë në bord duken bidona plastikë dhe pjesa tjetër bosh. Pas konstatimit në det të hapur, policia kërkoi ndihmën e FA për kapjen e gomones. Menjëherë operacionit i janë bashkuar anija "Oriku" dhe helikopteri i FA, "Cougar", të cilët kanë ndjekur në ujërat neutrale gomonen që lëvizte me shpejtësi.

Por pavarësisht ndjekjes, gomonia arriti që të zhdukej, por vetëm për disa orë, pasi pasditen e sotme është bllokuar në Mal të Zi. Ndërkohë që tre shtetet vijojnë hetimet se cilët janë personat e përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat