“Historitë e vajzave shqiptare që prostituojnë në Perëndim” - Bota Sot
“Historitë e vajzave shqiptare që prostituojnë në Perëndim”

Kronikë e zezë

E diel, 18 nëntor 2018

“Historitë e vajzave shqiptare që prostituojnë në Perëndim”

Më: 18 janar 2018 Në ora: 15:46
Silvana Beqiraj

Në një ditë plot diell të shtatorit të vitit 2014, trupi i një gruaje u gjet në kanalin Lunel, një rrjedhë uji që kalon mes pallateve në Montpelje. Policia franceze në fillim pati dyshime se ajo ishte mbytur. Nuk kishte shenja lëndimesh, por fakti që ishte zhveshur shtoi dyshimet për ngjarjen.

Trupi ishte i Silvana Beqirajt, një shqiptare. Silvana vinte nga fshati Ndërmenas, i Fierit, një qytet industrial, rreth 100 km nga Tirana. Nënë e divorcuar, ajo i kishte lënë fëmijët me prindërit e saj dhe kishte emigruar në Francë.
Një grua tjetër, Bukurie Elmazi, edhe kjo nga Fieri kishte qenë me Silvanën në Francë në vitin 2011, dhe e kishte bindur të emigronte për një jetë më të mirë, sipas familjes së Silvanës.
Kishte qenë Elmazi që kishte identifikuar trupin. “Ajo na tha se kujdesej për një grua të moshuar” thotë babai i Silvanës për The Guardian, Mehmet Beqiraj, që jeton në një shtëpi të vogël në fshat. “Por ne të gjithë kishim dyshime”.

Në Francë nisën hetimet. U zbulua se Silvana ishte e përfshirë në prostitucion në Montpelje, por familja e saj nuk ka asnjë ide se çfarë ndodhi me të. Shkaku i vdekjes nuk u përcaktua kurrë nga policia apo nga mjekët dhe askush nuk u arrestua.
Familja e Silvanës refuzon ta pranojë se vajza e tyre u trafikua, duke preferuar të besojnë se përfshirja e saj në prostitucion ishte zgjedhje e saj. “Nëse ke një tutor, apo një trafikant mbi kokë nuk sjell shumë para në shtëpi”, thotë vëllai i saj (që nuk pranoi të identifikohet), një njeri që ende vuan humbjes e të motrës. “Ajo dërgoi shumë para. Nëse do ishte trafikuar, ai nuk do ta lejonte të na dërgonte para”.
Provat, gjithsesi, thonë të kundërtën.

I vëllai thotë se njerëzit që “çuan Silvanën në Francë” ende jetojnë në fshat, ndërsa Mehmeti thotë se Silvana dërgonte shuma të vogla parash, kur kishte mundësi. Sigurisht që nuk pati më shumë mirëqenie në shtëpi pas ikjes së saj.
Disa ditë pasi e lajmëruan për vdekjen e së bijës, Mehmeti udhëtoi për në Montpelje, ku u takua me policinë.
“Shqiptarët (në konsullatë) të ndihmonin vetëm me një përkthyes dhe asgjë tjetër. Më trajtuan keq, ishin arrogantë dhe më injoronin” thotë ai. Trupi i Silvanës u mbajt nga prokuroria për 7 muaj. Kur mbaruan punë me hetimet, familja duhej të paguante rreth 6 mijë euro për ta kthyer në Shqipëri. “Nuk kishim para”, thotë Mehmeti. “Por i gjetëm ashtu…”

Jeta në fshat nuk kishte qenë e lehtë për Silvanën. Si shumë femra të tjera u martua në moshën 20-vjeçare, një martesë me mblesëri. Pas pesë vitesh, kërkoi divorcin dhe u kthye në shtëpinë e prindërve bashkë me fëmijët.
Brenda vitit, Silvana takoi Nuri Çelën, një burrë nga fshati aty pranë. Nuk kaloi shumë kohë dhe të dy nisën të bashkëjetonin, por Çela u qëllua për vdekje ndërsa ktheheshin bashkë në shtëpi.

“Bëhej fjalë për një borxh”, thotë nëna e Silvanës, Yllka, “ata i kishin borxh Silvanës 3500 euro dhe Çela u vra vetëm se kërkonte paratë”.
Sipas një gazetareje, Laureta Rroshi, Silvana ia kishte dhënë paratë një grupi kriminal që do ta çonte në Francë për t’u prostituuar. Por më pas, ndryshoi mendje dhe kërkoi t’i ktheheshin paratë.

Është praktikisht e pamundur të gjesh arsyet e vërteta se përse Silvana kërkoi të shkonte në Francë. Por ajo që dihet nga vajzat e trafikuara nga fshatrat e Shqipërisë, është se atyre iu premtohet një jetë më e mirë dhe se përfundojnë të zhytura në borxhe për pagesën e udhëtimit dhe qëndrimin në Francë. Familjet e tyre në Shqipëri kërcënohen të heshtin. “Edhe fëmijët e Silvanës e dinin se nëna e tyre ishte trafikuar në Francë”, tregon Rroshi.

Bandat që trafikojnë femrat janë brutale
Në fund të viteve 90, qeveria shqiptare nisi ta pranojë se trafikimi i vajzave për prostitucion ishte kthyer në një problem serioz. Ekspertët nisën punën për identifikimin e viktimave dhe dënimin e tutorëve.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve dhe miliona dollarëve për forcimin e ligjeve kundër trafikut, mbetet një fenomen shqetësues në Ballkan në përgjithësi dhe në Shqipëri, në veçanti.

Agjencia Kombëtare e Krimeve në Britaninë e Madhe tregon se fund të vitit 2017, shumica e vajzave të trafikuara në këtë vend, janë nga Shqipëria.
Udhëtimi nga Vlora në Brindizi është gati një orë e gjysmë me gomone, ndaj Vlora njihet si pikë kryesore e kalimit në Itali. Sot, Fieri është më i njohur për fenomentin e femrave të trafikuara, por edhe Vlora ka problemet e saj.
“Mendoj se trafikimi po bie” thotë Balida, një vajzë police nga qendra e antitrafikut në Vlorë. “Nuk ka më banda, vetëm burra që ofrohen për t’u martuar me femrat. Shkojnë vetë në Itali, apo ku të duan”.

Balida thotë se dënimet për trafikantët janë të rralla sepse viktimar “refuzojnë bashkëpunimin”. “Kur ne marrim në pyetje një prostitutë, ajo thotë: E bëj si profesion. Ky është profesioni im. Pra, nëse ajo nuk mendon se është viktimë, pse ta mendojmë ne?
“Unë mendoj se më shumë sesa klientët, ne duhet të kriminalizojmë vajzat. Sepse vajzat që kam njohur unë e bëjnë këtë punë se u pëlqen. Nuk janë në presion, të paktën ato që kam njohur unë”

E pyetur se sa trafikantë ka arrestuar apo ka marrë në pyetje ajo dhe skuadra e saj, Balida përgjigjet pa asnjë hezitim: “Asnjë”.
“Ne kemi grupe të përfshira në trafik, por nuk kemi prova për t’i arrestuar ata. Vetëm sa i mbajmë nën vëzhgim, por nuk kemi prova se merren me trafik”. A e njihte ajo rastin e Beqirajt? “Po, por askush nuk del të flasë” thotë ajo. “Ndoshta ajo bëri shumë armiq, dhe të gjithë i kanë frikë ata”.

Në Shqipëri, raprezaljet kundër viktimave të trafikut janë sa të dhunshme, aq edhe të zakonshme. Organizatat kundër trafikut dhe policët tregojnë histori të shkëputura të torturave ndaj grave dhe vajzave që tentojnë të arratisen.

Një 20 vjeçare që u arratis nga trafikantët pasi zbuloi se ishte shtatzënë me një nga njerëzit që e blenë, u gjet në një kantier ndërtimi. Në sy të femrave të tjera, që ishin sjellë për të parë, vajza u rrah keq para se të betonohej në mur, akoma e gjallë, shkruan The Guardian.

Femrat e tjera detyrohen të qëndrojnë me trafikantët, sepse ato e dinë ku banojnë familjet e tyre dhe iu është thënë se këta do të vriten nëse vajzat largohen.
Disa prej vajzave në Vlorë kanë pasur fatin të strehohen në qendrën Vatra, për viktimat e trafikut. Në një ambient të rehatshëm të qendrës, rreth 20 veta nga stafi dhe vajzat qëndrojnë ulur, ndërsa fëmijët luajnë qetësisht.

Një nga vajzat, Sara, tregon se u trafikua nga një djalë në lagjen e saj kur ishte vetëm 13 vjeç. “Atë njeri e dija se e kisha të dashur, por ai më shiti tek tre vetë nga Tirana dhe ata më çuan në Itali” thotë Sara, që jeton bashkë me fëmijën e saj në qendër. “Rrugës jam përdhunuar, rrahur, poshtëruar, madje edhe më kontrollonin si të isha një kafshë, për të parë sa vleja”. Sara u arratis kur i thanë se do të zhvendosej në një shtëpi tjetër në një qytezë pranë Torinos.
“Shkova në polici dhe falë Zotit, më besuan”, tha ajo. “Më dërguan që të merrja ndihmë (në zyrat e Organizatës Botërore të Emigracionit) dhe më ndihmuan të marr një shtëpi. Por policia e Vlorës nuk më besoi. Thanë se po gënjeja se kisha qenë prostitutë në Itali dhe se kjo kishte qenë zgjedhja ime. Thanë se do më arrestonin po t’i shkoja t’i shqetësoja prapë”.

Katër vjet pasi u gjet trupi i Silvanës, policët nuk kanë bërë asnjë zbulim në lidhje me këtë rast. “Është një kujtim i keq se sa i rrezikshëm është prostitucioni për femrat e Shqipërisë” thotë një polic i Europol, aktualisht me shërbim në Shqipëri.

“Bandat që trafikojnë femra për këtë qëllim janë nga më brutalet që kemi hasur ndonjëherë. Edhe rusët i kanë frikë”, shprehet ai për The Guardian.
Gazetarët në Tiranë dhe Fier thonë se për Silvana Beqirajn nuk ka pasur lajme nga Franca. Policia e Montpelje konfirmon se nuk ka asnjë informacion për të dhënë.
Varri i Silvanës është mbi një rrip toke të thatë pranë tokave të familjes së saj në Fier. Familjarë të tjerë janë varrosur atje, thotë Yllka. Nis të qajë dhe kërkon ndihmë për të zbuluar çfarë ndodhi me vajzën e saj. “Policia nuk do t’ia dijë”, thotë duke qarë, “sepse mendojnë se të gjitha vajzat janë prostituta. Po dikush e ka një faj…”.
Mbi varr është një pllakë që ngrihet mbi tokën e fortë, me foton e Silvanës. “As një varr nuk e blejmë dot për të”, thotë Mehmeti, ndërsa prek foton e së bijës.
Në pllakë është emri i Silvanës dhe data e lindjes. S’ka një datë për vdekjen e saj, sikur familja të refuzonte atë që ka ndodhur, deri ditën kur të kenë një përgjigje se si vdiq vajza e tyre.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test