Atentat me armë shqiptarit në mes të Athinës, polici tek berberi bëhet dëshmitar

Kronikë e zezë

Atentat me armë shqiptarit në mes të Athinës, polici tek berberi bëhet dëshmitar

Më: 4 maj 2018 Në ora: 19:48
Athinë

Një 38-vjeçar shqiptar është qëlluar me armë në sheshin “Viktoria” në Athinë pasditen e sotme, duke mbetur i plagosur.

Sipas mediave vendase, kanë qenë tre persona të maskuar të cilët dolën nga një makinë dhe qëlluan pesë herë në këmbë shqiptarin dhe më pas u arratisën. Ngjarja ndodhi brenda një salloni bukurie, ku kishte dhe klientë të tjerë.

Njëri prej këtyre klientëve ishte oficer policie, por jo në shërbim. Shqiptari i plagosur, identiteti i të cilit nuk dihet, u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Fillimisht u tha se ai ishte pronari i sallonit të bukurisë, por më pas u saktësua se ishte një klient dhe pronar në fakt është një shtetas pakistanez.

CNN-i grek shkruan se shqiptari është hidraulik me profesion dhe nuk ka precedent të mëparshëm penal. Ai është i martuar, ndërsa bashkëshortja e tij jeton në Shqipëri. Autoritetet greke besojnë se shqiptari i njeh autorët dhe dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur për konflikte familjare apo aktivitete të paligjshme.
Nga spitali ku merr mjekim, shqiptari dha dëshminë e parë për hetuesit: “Isha me një shok në sheshin Viktoria dhe pinim kafe shumë pranë shtëpisë sime. Pasi mbaruam, i thashë shokut tim të largohej sepse do të shkoja te salloni i bukurisë. Pasi hyra në dyqan dhe u ula, në të qindat e sekondës pashë një njeri të maskuar që hapi derën, ndërsa jashtë po priste një tjetër në makinë. Personi që u fut brenda kishte armë dhe nisi të më qëllonte nga këmbët. Menjëherë pas kësaj, doli nga dyqani, u fut në makinë dhe u largua”.

Policia greke ka nisur hetimet për zbardhur shkaqet dhe për të identifikuar autorët e sulmit me armë. Ndihmesë pritet të japë edhe oficeri i policisë që ndodhej brenda sallonit të bukurisë kur ndodhi ngjarja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat