Vetëvrasja në Shkodër, SHÇBA mohon dhunën, por policët do pezullohen

Kronikë e zezë

Vetëvrasja në Shkodër, SHÇBA mohon dhunën, por policët do pezullohen

Më: 29 maj 2018 Në ora: 15:59
Ilustrim

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pretendon se ndaj 47-vjeçarit Ardian Kallami nga fshati Barbullush i Vaut të Dejës, nuk është ushtruar dhunë fizike.

Trupi i të ndjerit, i cili i dha fund jetës duke u vetëvarur pak orë pasi doli nga komisariati i policisë, është këqyrur në prani të djalit dhe vëllait të viktimës dhe nuk ka rezultuar me shenja dhune ndryshe nga ç’pretendonin familjarët 1 ditë më parë.

Megjithatë, SHÇBA pritet të pezullojë disa punonjës policie deri në përfundim të hetimeve, të cilët kanë marrë në pyetje viktimën i cili ishte shoqëruar si i dyshuar për vjedhjen e banesës së komshiut. Efektivët dyshohet se kanë ndikuar në rëndimin e gjendjes psikologjike të 47-vjeçarit, i cili ndërmori aktin e rëndë të vetflijimit.

Sipas burimeve nga SHÇBA, Kallami ka patur edhe precedent të mëparshëm në fushën e vjedhjeve ndërsa për rastin e fundit ka qenë vetë fqinji i tij që e ka identifikuar si autorin e dyshuar të vjedhjes së banesës. SHÇBA po verifikon trajtimin konform procedurave standarde që i është bërë Ardian Kallamit gjatë shoqërimit në komisariat si dhe një deklaratë që dyshohet se është plotësuar nga viktima megjithëse familjarët pretendojnë se ai nuk dinte shkrim e këndim.

“Unë Ardian Ndreli Kallami ju garantoj se brenda dy ditëve do shkojnë materialet tek banesa e fqinjit Mandit. Deklaroj nën përgjegjësinë time se çfarë deklarova më sipër ishin në vullnetin tim dhe që mos kryeja e kësaj pune që premtova jam dakord për të mbajtur përgjegjësi ligjore”.

Ky është rasti i dytë në një kohë të shkurtër, pas 27-vjeçarit Enea Ftoj në Korçe, ku familjarë akuzojnë policinë e shtetit për ushtrim dhune deri në vdekje në mjediset e komisariateve. Shqetësimin abuzimet në komisariate e ka ngritur herë pas here edhe avokati i popullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat