Policia jep detaje rreth aksidentit tragjik në Pejë

Kronikë e zezë

Policia jep detaje rreth aksidentit tragjik në Pejë

Më: 10 qershor 2018 Në ora: 10:42
Foto ilustrim

Policia e Rajonit të Pejës ka dhënë detaje rreth aksidentit që ka ndodhur sot rreth orës 01:10 në rrugën Pejë –Vitomiricë, gjegjësisht në lagjen “Fidanishte”.

Në këtë aksident, sipas Policisë, tre persona kanë humbur jetën dhe një ka mbetur i lënduar.

Në këtë aksident ishte i përfshirë një automjet i tipit “Volkswagen Jetta” me targa të regjistrimit vendor.

Sipas Policisë, viktima janë E.H., i gjinisë mashkullore, i lindur më 1993, dhe M.B. dhe Xh.H., të gjinisë femërore.

Policia njofton se dy pasagjerët kanë arritur pa shenja jete në Spitalin Rajonal, kurse viktima e tretë ka ndërruar jetë në QKUK-Prishtinë. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor.

Në këtë aksident lëndime ka pësuar edhe E.H., i gjinisë mashkullore, i cili nga vendi i ngjarjes është dërguar në Spitalin rajonal në Pejë për trajtim mjekësor.

Lidhur me aksidentin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka marrë pjesë në vendin e ngjarjes dhe me urdhrin e tij trupat e viktimave u janë lejuar familjarëve për ceremoni mortore.

Sipas të dhënave preliminare dyshohet se aksidenti ka ndodhur derisa ngasësi i veturës ishte duke qarkulluar nga Peja në drejtim të Vitomiricës dhe me të arritur në lagjen “Fidanishte” duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës si dhe shpejtësisë tenton të shkyçet nga rruga kryesore për të hyrë në një rrugë anësore në anën e djathtë, i njëjti për shkak të shpejtësisë nuk mund të bëjë kthimin e sigurt me ç’rast me pjesën ballore përplaset me një mur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat