Policia sqaron se si ishte inskenuar një rast rrëmbimi në Prishtinë

Kronikë e zezë

Policia sqaron se si ishte inskenuar një rast rrëmbimi në Prishtinë

Më: 26 korrik 2018 Në ora: 16:13
Ilustrim

Policia e Kosovës jep më shumë detaje në lidhje me rastin që një person ka deklaruar rrejshëm se është rrëmbyer.

“Denoncimi në polici është bërë me datë 16 korrik nga G. Halili 54 vjeç, i cili i ka lajmëruar policinë se në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, nga persona të armatosur nën kërcënimin e armës është futur në një veturë dhe është dërguar në një fshat në periferi të Prishtinës, me ç ‘rast i janë marrë me dhunë para kesh 16 mijë e 800 euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia në bazë të hetimeve ka ardhur në përfundim që, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka lajmëruar rrejshëm rastin në polici dhe ka inskenuar ngjarjen për arsye të përfitimit material  të shumës së sipër cekur të parave të cilat do duhej t’i depononte si pazar ditor në emër të kompanisë ku ishte i punësuar.

“I dyshuari të gjitha këto veprime i ka kryer në bashkëveprim edhe me personin tjetër të dyshuar B. Moni, i cili po ashtu është intervistuar nga ana e policisë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Me rekomandimin e prokurorit të shtetit i dyshuari kryesor, G. Halili është dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë, përderisa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Në lidhje me rastin policia ka kryer edhe një operacion bastisjeje në shtëpinë e të dyshuarit kryesor.

Ndërkohë që janë kryer veprimet e lartcekura policore, hetuesit po vazhdojnë hetimin e mëtejmë me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të këtij rasti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat