Katër policë të lënduar gjatë ndjekjes së hajnave

Kronikë e zezë

Katër policë të lënduar gjatë ndjekjes së hajnave

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 16:20
Foto ilustrim

Katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë lënduar gjatë një aksioni dramatik me ç’rast janë aksidentuar dy vetura të Policisë së Kosovës, derisa po ndiqnin grabitësit e një marketi në Lipjan.

Vjedhja ka ndodhur në orën 3 pasmesnate në një market në rrugën “Hajredin Bajrami”, pasi hajnat e maskuar morën një sasi të parave dhe gjëra të tjera, duke ikur më pas me një veturë, e cila është ndjekur nga Policia e Kosovës.

Aksioni i ndjekjes kryesisht ka qenë në rrugët që lidhin lagjet ‘Velania’ – ‘Tauk Bahçe’ dhe ‘Avalla’, ku në një moment të caktuar të dyshuarit me veturën e tyre në ikje e sipër kanë tentuar të godasin zyrtarin policor.

Për rrjedhojë zyrtarët policorë duke pasur parasysh faktin se veprimet e personave të dyshuar, përbënin kërcënim për jetën e tyre dhe pjesëmarrësve në komunikacion,  domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme, thuhet në komunikatën e policisë.

Përgjatë ndjekjes janë aksidentuar dy vetura zyrtare të policisë ku janë lënduar katër zyrtarë policorë, të cilët kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe përkundër lëndimeve të shumta  janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Në të njëjtën kohë ka qenë duke u zhvilluar edhe një aksion tjetër i policisë, ku është arrestuar një person i dyshuar për grabitje. Operacioni është realizuar nga njësitet policore të stacionit Jugu në Prishtinë dhe aktualisht policia po punon me qëllim të identifikimit të personave të dyshuar si dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat