Vrasësi shkeli ligj e Kanun, vrau punonjësit me bukë në gojë

Kronikë e zezë

Vrasësi shkeli ligj e Kanun, vrau punonjësit me bukë në gojë

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 00:52
Foto ilustrim - Kujtim Koxha, vendi ku ndodh krimi

Ky lokal modest në fshatin Shëlli të Matit ishte vendi ku katër punonjës të bashkisë së Matit të cilët ishin angazhuar për hapjen e një rruge në fshat, e shfrytëzonin për pushimin e drekës.

Mentor Hoxha, Astrit Hani, Erzen Alija dhe Hamit Buçi po konsumonin ushqimin teksa drejt tyre u zbrazën breshëri automatiku nga 51 vjeçari Kujtim Koxha.

Policia tha se mes tyre pati një debat verbal në lokal dhe Koxha më pas shkoi në shtëpi dhe u kthye me automatik duke vrarë në vend Mentor Hoxhën dhe plagosur tre të tjerët.

Pak orë më vonë do të ndërronin jetë Erzen Alija dhe Hamit Buçi, njëri rrugës drejt Tiranës ndërsa tjetri në spitalin e Traumës.

Kryetari i bashkisë Mat, Nezir Rizvani, duke folur para komisariatit pas arrestimit të autorit të masakrës  tregon si e mori vesh lajmin e kobshëm.

Nezir Rizvani: Ishte ora 2 pa 5, brigaderi në telefon më thotë: Jemi duke hëngër bukë, na ka ardhur një njeri me automatik dhe na vrau pothuajse të gjithëve. Në këtë moment kam mbyll telefonin dhe kam marrë shefin e komisariatit në telefon dhe jam nisur direkt drejt vendit të ngjarjes.

Luftim Vani, anëtar i Këshillit të Bashkisë Mat i shokuar nga ngjarja thotë se nuk kishte ndodhur të vritej njeriu në bukë.

Luftim Vani: Ta vrasësh tjetrin duke hëngër bukë, edhe me Kanun nuk ka qenë ndonjëherë, vetëm sot ka ndodhur.

Edhe deputetët demokratë Dhurata Cupi e Xhemal Gjunkshi, e cilësuan tepër të rëndë ngjarjen kriminale.

Dhurata Çupi: Jemi në kushtet e tragjedisë, tre veta të vdekur dhe ngjarja është shumë e rëndë. Duke e menduar që këta kanë lënë familjet e tyre dhe kanë vajtur të punojnë. Në punë për komunitetin kanë qenë.

Xhemal Gjunkshi: Rast i paprecedent, vrasësi sigurisht që u kap por ai menjëherë duhet të ndëshkohet dhe ligji të veprojë mbi të.

Ndërkohë i vetmi i mbijetuar nga ngjarja, Astrit Hani, po merr trajtim mjekësor në spitalin e Burrelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat