Vrasja në Gjakovë e çon në 28 numrin e viktimave për nëntë muaj

Kronikë e zezë

Vrasja në Gjakovë e çon në 28 numrin e viktimave për nëntë muaj

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 11:25
Shtëpia ku u vra Haxhi Ahmeti

Numri i vrasjeve që po ndodhin në Kosovë po shkon duke u rritur. Për vetëm nëntë muaj, në vend kanë ndodhur 28 vrasje, në qytete të ndryshme të Kosovës. Rasti i fundit i vrasjes është ai në Deçan, ku mbeti i vdekur Haxhi Ahmeti. Vdekja e tij dyshohet se erdhi nga shpërthimi i eksplozivit që ishte vendosur në oborrin e shtëpisë së tij.

Haxhi Ahmeti nga fshati Smolicë e Deçanit mbeti i vdekur nga shpërthimi i eksplozivit që ishte vendosur në oborrin e shtëpisë së tij. Por, ende nuk po dihet se si erdhi deri te e gjithë kjo. Askush nuk është arrestuar e ende nuk ka të dyshuar për këtë rast.

Kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj, ka thënë se ende nuk ka të dyshuar dhe as të arrestuar në vrasjen që ka ndodhur në fshatin Smolicë.

Selimaj ka thënë se Haxhi Ahmeti është gjetur i vdekur pasi eksplozivi i vendosur në oborr të shtëpisë ia ka marrë jetën.

Kryeprokurori ka thënë se ende nuk kanë ndonjë të dyshuar lidhur me vendosjen e eksplozivit në derë të oborrit.

“Nuk i dimë motivet. Nuk ka të dyshuar. Ishte montuar një eksploziv në shtyllën e derës së oborrit. Është aktivizuar dhe ka lënë të vdekur një person”, ka thënë Selimaj të dielën.

Kjo është vrasja e dytë brenda disa vitesh në familjen Ahmeti. Por, ky nuk është rasti i vetëm i vrasjes që ka ndodhur këtë vit.

Kosova edhe në nëntëmujorin e parë të këtij viti është përballur me vrasje që kanë ndodhur në qytete të ndryshme.

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës që ka siguruar në vendin tonë në këtë periudhë kohore janë regjistruar 28 raste të vrasjeve.

Sipas Policisë, në të njëjtën periudhë kohore në vitin 2017 në vendin tonë ishin regjistruar 28 vrasje.

Ndryshe, vrasja e cila tronditi vendin së fundi, ishte vrasja e dyfishtë që ndodhi më 7 gusht të këtij viti në Brekoc të Gjakovës.

Pjetër Nrecaj më 7 gusht kishte vrarë bashkëshorten e tij 35-vjeçare, Valbonën dhe vajzën 8-vjeçare. Gjykata e Gjakovës më 5 shtator të këtij viti, ndaj Pjetër Nrecajt si i dyshuar kryesor për vrasjen e dyfishtë, kishte marrë vendim që t’i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat