Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit

Kronikë e zezë

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 09:48
Foto ilustruse

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës. Nga këto katër raste, tri kanë vazhduar në procedurë të rregullt, ndërsa dy të arrestuar kanë shkuar në mbajtje.

Në rastin e parë, në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, një grua kishte raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, në mbrëmjen e së dielës. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Në një rast tjetër, një grua kishte raportuar po ashtu se është sulmuar nga bashkëshorti i saj. Viktima në këtë rast ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Ky rast kishte ndodhur në rrugën “Ramë Govori” në Podujevë.
Dhunë në familje ka pasur edhe në Partesh, ku një grua kishte raportuar se është keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht nga babi dhe njerka e saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Një rast që ka shkuar në mbajtje për dhunë në familje nga këto katër raste, është ai i Klinës ku një grua ka raportuar se i biri i saj e kishte kanosur dhe e kishte rrahur teksa ishte duke u intervistuar për një rast tjetër.

Në mbajtje ka shkuar edhe i dyshuari në Malishevë që raportohet se kishte rrahur bashkëshorten. Viktima kishte pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit i është konfiskuar një pistoletë. Ai sipas raportimit ishte nën ndikim të alkoolit kur e kishte sulmuar bashkëshorten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat