Ekstradohet nga Hollanda i dënuari për vrasje dhe trafik droge

Kronikë e zezë

Ekstradohet nga Hollanda i dënuari për vrasje dhe trafik droge

Më: 3 nëntor 2018 Në ora: 10:38
Bledar Qemalaj

Një person i dënuar për vrasje, trafik droge dhe armëmbajtje pa leje, është ekstraduar nga Hollanda drejt vendit tonë.

Nga Specialistët e Interpol Tirana pasditen e kësaj të premteje, u krye ekstradimi nga Amsterdami drejt vendit tonë i Bledar Qemalaj, 39 vjeç, lindur në Fier.

Qemalaj është arrestuar nga autoritetet policore hollandeze me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol Tirana.

Kjo pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë në mars të vitit 2006, e ka dënuar me 23 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”.

Po ashtu Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me në nëntor të vitit 2009 e ka dënuar me 8 vjet burg për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike”.

Gjithashtu Gjykata e Apelit Vlorë në tetor të vitit 2004, ka lënë në fuqi vendimin penal Gjykatës së Fierit, e cila ka dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake”

39-vjeçari akuzohet se më 3 maj 2004 në rrugën “Qemal Stafa”, Tiranë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Edmond Vruho.

Viktima Edmond Vruho, në vitin 2000 ka vrarë vëllanë e Bledar Qemalaj në Fier. Ndërkohë, Qemalaj kishte kohë që e ndiqte gjaksin e tij, që të dy nga Fieri. Në vijim të ndjekjes, Qemalaj arriti të zbulojë vendndodhjen e hasmit në Tiranë dhe e vrau atë.

Sakaq në datën 25-26 gusht 2004 Qemalaj akuzohet se në bashkëpunim me disa persona të tjerë ka arritur që të trafikojë nga Shqipëria drejt Italisë 15 kg lëndë narkotike heroinë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol The Hage/Hollandë, u bë i mundur arrestimi i tij në Amsterdam, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat