Arrestohet një person që vodhi mall prej 100 mijë eurosh në një fabrikë në Drenas

Kronikë e zezë

Arrestohet një person që vodhi mall prej 100 mijë eurosh në një fabrikë në Drenas

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 15:16
Foto ilustrim

Nga njësitet policore të stacionit të Drenasit, dje është arrestuar një person për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm që mund të jetë i përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë.

Rasti ka ndodhur më datën 24.11.2018 në Sankoc të Drenasit, në një fabrikë, ku janë vjedhur 10 ton bateri dhe material (me përmbajtje plumbi dhe plastike), që arrijnë vlerën rreth 100.000 euro.

Hetuesit policorë, pas ndërmarrjes së veprimeve të duhura hetimore, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë një person të dyshuar me inicialet V. M, mashkull, 26 vjeç, shtetas i Kosovës.

“Pjesë e operacionit ka qenë edhe konfiskimi i materialeve të vjedhura, të cilat janë gjetur në dy deponi (firma private të grumbullimit në Obiliq dhe Fushë Kosovë), të cilat me urdhër të prokurorit i janë kthyer pronarit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndaj personit të dyshuar, prokurori i shtetit ka shqiptuar masën e ndalimit për 48 orë, për t’u proceduar më tej në faza të tjera të procesit hetimor, ndërkohë që hetuesit policorë janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e tre personave të tjerë, të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat