Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë në Suharekë, ku ndodheshin tre persona të dyshuar, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike dhe pajisje që dyshohet se janë përdorur për përgatitjen dhe paketimin e tyre.
Sipas raportit policor, gjatë kontrollit janë gjetur 25.86 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 0.83 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, transmeton "Bota sot".
Po ashtu, janë sekuestruar dy peshore për matjen e substancave narkotike, një grinder për bluarjen e marihuanës, një brisk dhe 63 qese të vogla, të cilat dyshohet se shërbejnë për paketimin e narkotikëve.
Si prova materiale, policia ka sekuestruar edhe tre telefona celularë dhe një shumë parash të gatshme.
Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, dy nga të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa personi i tretë është liruar dhe rasti ndaj tij do të procedohet në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar si “Posedim i substancave narkotike”.