Një trup i pajetë është gjetur në liqenin e fshatit Livoç i Epërm në Gjilan, ndërsa dyshohet se bëhet fjalë për një person i cili ishte raportuar i zhdukur para dy ditësh.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar nga një qytetar, i cili ka njoftuar se kishte parë një trup të pajetë në liqen.
Pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe zjarrfikësit, të cilët e kanë nxjerrë trupin nga uji. Në vendngjarje ka mbërritur edhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e personit, transmeton "Bota sot".
Viktima nuk kishte dokumente identifikimi, por, sipas hetimeve fillestare, dyshohet se është një mashkull kosovar, i cili ishte raportuar i zhdukur para dy ditësh.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Rasti është nën hetime, ndërsa pritet që veprimet hetimore të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të vdekjes dhe konfirmimin e identitetit të viktimës.