Qarku i Kukësit, situata ekonomike dhe niveli i lartë i emigracionit

Kukësi

Qarku i Kukësit, situata ekonomike dhe niveli i lartë i emigracionit

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 20:17
Foto

Lavdrim Shehu dhe Rifat Demalija janë dy veprimtarë të shoqërisë civile në Qarkun e Kukësit, të cilët kanë ngritur “Qendrën për Progres Rinor”. Prej disa vitesh ata ndjekin nga afër zhvillimet në të tre bashkitë e këtij qarku; në Tropojë, Has dhe Kukës. Lavdrimi thotë se, megjithë pasuritë e shumta natyrore që ka kjo zonë, Qarku i Kukësit mbetet zona me nivelin më të lartë të varfërisë mes 12 qarqeve që ka Shqipëria.

“Në bazë të dhënave, Qarku i Kukësit vazhdon të mbetet qarku më i varfër në Shqipëri. Dhe, në fakt, kjo është krejtësisht në paradoks me situatën e burimeve ekzistuese dhe kryesisht të burimeve natyrore që ekziztojnë në Kukës dhe potencialit që kanë këto burime nëse do të shfrytësoheshin ne mënyrëbn e duhur dhe të adresoheshin edhe investimet në mënyrën e duhur”, thotë zoti Lavdrim Shehu.

Sipas Institutit të Statistikave, Qarku i Kukësit, me rreth 84 mijë banorë, regjistron rreth 2300 ndërmarrje, treguesi ky më i ulët në shkallë vendi.

Megjithëse një rajon blegtoral, sipas zotit Shehu, këtu nuk ka një fabrikë të përpunimit të qumështit, ndërsa liqeni vazhdon të mbetet një potencial ekonomik i pashfrytëzuar në dobi të komunitetit, ashtu si edhe minierat apo turizmi.

“Të gjitha burimet natyrore të mineraleve, që prodhohen ne Qarkun e Kukësit, janë burime që nuk krijojnë vlerë të shtuar për komunitetin. Gjithashtu turizmi, si një sektor të cilit i jemi fokusuar vitet e fundit si qeveria, ashtu edhe bizneset, përsëri mbetet një sektor shumë i brishtë”, thotë ai.

Për Rifat Demalinë, kjo situatë ka ndikuar në shkallën e lartë të emigrimit të banorëve drejt vendeve të Bashkimit Europian, kryesisht të rinjve të moshës 15 deri ne 20 vjeç.

“Të rinjtë në Kukës asqë mendojnë të zhvillojnë bizneset e tyre në bujqësi apo blegtori. E njëjta situatë është edhe për bizneset e reja pasi të rinjtë kuksianë zgjidhjen e vetme e mendojnë emigracionin”, thotë ai.

Vitet e fundit në Qarkun e Kukësit janë realizuar një numër investimesh në fushën e infrastrukturës publike si, rikonstruksioni i qendrave të qyteteve Kukës, Has dhe Tropojë, aeroporti i Kukësit, përmirësimi i gjendjes së rrugëve, etj. Por, veprimtari i shoqërisë civile në Kukës, Rifat Demalija, thotë se një pjesë prej tyre nuk kanë lidhje me përparësitë e qytetarëve.

“Pjesa më e madhe e investimeve lidhen me interesat e kompanive, për shkak se projektet bëhen nnga Tiranë, pa u konsultu me grupet e interesit, sikurse kemi edhe nyjen hyrëse të Drinit të Zi, e cila e bllokon dhe ja vështirëson jetën qytetarëve të Kukësit. Të njëjta janë edhe disa investime, të cilat nuk kanë lidhje me prioritetet e qytetareve. Prioritetet e tyre janë rrugët, shkolla, ujësjellësit, qendrat shëndetësore, të cilat prej 30 vitesh nuk zhvillohen”, thotë zoti Demalija.

Të dy veprimtarët e shoqërisë civile në Kukës, Lavdrim Shehu dhe Rifat Demalija, janë të njëmendje mbi nevojën e investimeve në fushën prodhuese në rajonin e Kukësit me synim shfrytëzimin e pasurive natyrore të zonës dhe rrijten e mirëqenies ekonomike të banorëve./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat