Artikulli i BBC-së po thyen rrjetin, çfarë ka zbuluar shkrimtarja e njohur në Kukës?

Kukësi

Artikulli i BBC-së po thyen rrjetin, çfarë ka zbuluar shkrimtarja e njohur në Kukës?

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 18:05
Elizabeth Gowing

BBC-Travel i ka kushtuar një artikull shumë të veçantë dhe kuptimplotë bimëve të shutma mjekësore që gjenden në Veriun e Shqipërisë dhe saktësisht në Kukës.

Elizabeth Gowing e cila është autore e pesë librave të udhëtimit, nga të cilët katër janë për Kosovën dhe Ballkanin, në këtë artikull ka shkruar për malet shqiptare dhe bimët e egra që ofrojnë mundësi shumë të mëdha ekonomike sidomos për gratë shqiptare. Gjatë artikullit, Elizabeth shkruan për punën e grave kuksiane të cilat çdo ditë ngjiten në majat më të larta të maleve për të mbledhur bimë mjekësore me shumë vlera në industrinë e produkteve të kujdesit të lëkurës. Në artikull ajo tregon eksperiencën e saj me gratë kuksiane që mbledhin bimët mjekësore për t'i shitur, por edhe mbresat e saj nga udhëtimi në fshatrat e Kukësit.

Po lija Kukësin për një udhëtim dyorësh drejt maleve. Furgoni ishte mbushur plot, me pasagjerë dhe bagazhet e tyre. Udhëtarët kishin lëkurën e pastër dhe strukturën e fortë kockore të cilën isha mësuar ta shihja te burrat e gratë e rajoneve malore në veri të Shqipërisë, por u habita nga bagazhet e tyre. Të gjitha këto lule mblidheshin dhe çoheshin në Kukës për t’u shitur për eksport. Por, i pyeta pasagjerët, si i përdornin ata vetë lulet që mblidhnin?

Ndoshta duhej ta kisha gjetur vetë përgjigjen – stacioni i fundit i furgonit tonë ishte një fshat i quajtur Çajë. Po shkoja në një fshat të quajtur ‘çaj’. Kjo zonë është si pjesa më e madhe e Shqipërisë, që është 77% malore, dhe përfiton nga klima mesdhetare dhe nga toka që kishte pak kontaminim me kimikate gjatë regjimit komunist që ra në fillim të viteve ’90. Të gjithë këta faktorë i bëjnë bimët e egra të Shqipërisë shumë të kërkuara jashtë. Kjo industri ofron mundësi të mëdha ekonomike për gratë që ishin në furgon, megjithëse bimët që mbledhin duhet të përmbushin standarde ndërkombëtare, si për shembull të mos kenë shumë material të papërdorshëm, si kërcelli.

Kur mbërrita në Bujtinën Musaj të Donika Musajit, shpresoja të më jepnin çaj mali, pija e verdhë që vjen nga zierja e bimës Sideritis syriaca. Por, më ofruan një çaj më të errët të bërë nga boronica të thara. ‘Vjet mblodhëm mbi 100 kile boronica’, më tha Donika teksa gjerbja e kënaqur antioksidantët me një shije të lehtë myshku. Për ata nga ne që e kemi më të lehtë të inkorporojmë në regjimin e mirëqenies diçka nga sirtarët e banjos në vend të dollapit të kuzhinës, bimët malore të Shqipërisë ofrojnë një tjetër shpresë. Vaji i helikrisumit, e quajtur si lulja e përjetshme, është një tjetër përbërës në serumet e natës dhe produktet rigjeneruese faciale. Ashtu si lule gishti, kjo është një tjetër bimë që rritet në ajrin e pastër të malit dhe përdoret nga kompanitë kozmetike kudo në botë për vlerat e saj në ruajtjen e tonit të fytyrës.

Teksa vazhdova edhe më tej në veriun e Shqipërisë, anës rrugës takova një tjetër grup grash që mblidhnin gjethe. Më thanë se kishin ardhur nga një fshat aty afër që quhej Gruemirë. Po mblidhnin helikrisum, dhe i pyeta nëse mund t’i fotografoja. ‘Po, por më bëj të dukem bukur’, tha me shaka njëra prej tyre. Duke menduar gjithë vajet dhe petalet e çmuar me të cilat furnizojnë direkt kompanitë tona kozmetike, më tepër sens ka që unë – apo të gjithë ne – ta kërkojmë këtë prej tyre.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat