Tre rrugë në Kukës marrin emrat e Dëshmorëve të Policisë/ Selim Halili, Ramadan Hilaj dhe Shkëlzen Dobrushi

Kukësi

Tre rrugë në Kukës marrin emrat e Dëshmorëve të Policisë/ Selim Halili, Ramadan Hilaj dhe Shkëlzen Dobrushi

Më: 5 maj 2022 Në ora: 17:33
Foto nga vendi i ngjarjes

Në kuadër të Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, në bashkëpunimin me pushtetin vendor, ka zhvilluar sot ceremoni përkujtimore, për të vlerësuar aktin sublim të punonjësve të Policisë, të rënë në krye e për shkak të detyrës.

Në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, morën pjesë Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, Prefekti i qarkut, kryetari i Bashkisë Kukës, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, përfaqësues të pushtetit vendor, veteranë, familjarë të Dëshmorëve të Atdheut, efektivë të DVP Kukës, mesues dhe nxënës të shkollave të rrethit.

Gjithashtu, u zhvillua ceremonia e emërtimit të rrugëve në rrethin e Kukësit, me emrat e Dëshmorëve të Policisë Kukës, Selim Halili, Ramadan Hilaj dhe Shkëlzen Dobrushi.
Drejtori i DVP Kukës, gjatë fjalës së tij u shpreh:

“Sot, në këtë ditë të shënuar, ditë kujtese, jemi mbledhur për të nderuar jetën dhe kontributin e dhënë gjatë karrierrës policore, nga 3 Dëshmorët e Policisë së Shtetit, Selim Halili, Ramadan Hilaj dhe Shkëlzen Dobrushi, të cilët, me shpirtin e sakrificës dhe vetëmohimit që i karaterizonte, nuk kursyen as jetën e tyre, për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe për të garantuar rendin publik.

Për të nderuar dhe lartësuar sakrificën e Dëshmorëve, me iniciativën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë Kukës, do të emërtohen 3 rrugë në rrethin Kukës, me emrat e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, Selim Halili, Ramadan Hilaj dhe Shkëlzen Dobrushi.

Emërtimi i rrugës në fshatin Bicaj, me emrin e Dëshmorit të Policisë së Shtetit Selim Halili dhe i dy rrugëve në lagjen e re, qytetin e Kukësit, me emrat e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit Ramadan Hilaj dhe Shkëlzen Dobrushi, është një akt qytetarie, mbështetjeje për organizatën e Policisë, si dhe për shprehje falënderimi për familjarët e Dëshmorëve.

Ky proces i emërtimit të rrugëve me emrat e Dëshmorëve të tjerë të Policisë së Shtetit, shpresoj që, edhe me mbështetjen e bashkive të tjera të qarkut, të vijojë, pasi do jetë një vlerë e shtuar dhe krenari për familjarët e tyre, por edhe për të gjithë komunitetin.”

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat