Drejtori denoncoi rrugën e pabërë, bashkia “hakmerret” ndaj firmës që dha donacion për spitalin

Kukësi

Drejtori denoncoi rrugën e pabërë, bashkia “hakmerret” ndaj firmës që dha donacion për spitalin

Më: 28 qershor 2018 Në ora: 22:09
Kukës

Një kritikë për rrugën e shkatërruar para spitalit ka sjellë një “luftë” mes Bashkisë dhe Spitalit të Kukësit.

Në redaksinë e “Fiks Fare” u ankuan punonjës të Spitalit të Kukësit, të cilët pretendonin se punonjës të bashkisë kanë ndërprerë punimet për rregullimin e brendshëm të kuzhinës, i cili po bëhej me një donacion nga një firmë private. Sipas punonjësve, një ditë para se bashkia të ndërhynte, drejtori i spitalit, Ismet Nika, kritikoi në median lokale shkatërrimin e rrugës, e cila administrohet nga bashkia.

“Fiks Fare” udhëtoi drejt qytetit të Kukësit, ku foli me drejtorin e spitalit, Ismet Nika, i cili është me profesion kirurg, madje i vetmi në Kukës.

“Ne si spital kemi pasur shumë probleme me kuzhinën. Pas shumë vitesh, një firmë private erdhi si donatore, pa asnjë interes, të riparojë dhe investojë pjesërisht në kuzhinë. Do të bënte riparime të brendshme, duke ndërruar suvanë, pllakat etj. Ky ishte vetëm donacion, s’kishte asnjë lidhje me fondet e ministrisë apo me fondet e spitalit”, thotë drejtori, i cili u tregon gazetarëve të Fiksit edhe ambientet e kuzhinës.

Në vend duket ndryshimi, ku nga rrënoja dhe papastërti, ambienti ishte shndërruar. Ishte rregulluar dyshemeja, suvaja dhe tavani.

“Ka ndodhur që Policia Bashkiake ka ardhur dy herë pa njoftuar drejtorinë dhe institucionin përkatës. Herën e fundit ka shoqëruar edhe një person. Ne kemi bërë dy shkresa bashkisë, të njëpasnjëshme, për të na dhënë autorizimin për punime të brendshme. Pavarësisht se jemi institucion shtetëror dhe nuk po bëjmë një ndërtim të ri, thjesht po rregullojmë kuzhinën me donacion dhe prapë se prapë ne morëm hapa ligjore për leje. Kemi komunikuar verbalisht dhe bashkia na ka kthyer përgjigje që do dokumente të tjera, të cilat nuk i disponojmë si spital, siç është leja e ndërtimit të godinës së spitalit. Godina është ndërtuar në vitet e hershme të sistemit monist. Ne kemi kërkuar te hipoteka dokumentet e spitalit dhe kemi marrë numrin e pasurisë së spitalit dhe të truallit”, thotë drejtori.

Më tej, shton se në kuzhinën e spitalit për fat të keq ka pasur dekada të tëra që nuk është investuar. Drejtori Nika preku edhe mungesën e investimeve nga Bashkia e Kukësit për ambientin përreth spitalit. “Në rrugën para spitalit nuk është vënë dorë prej vitesh. E kam denoncuar disa herë. Madje, një natë para se të vinte bashkia, unë e kritikova në një media lokale”, thotë drejtori.

Fiksi siguroi edhe intervistën e Drejtorit të Spitalit në “Radio Kukësi”, ku ai denonconte pikërisht bashkinë për gjendjen e rrugës.
Gazetarët e pyetën kirurgun nëse veprimet e Policisë Bashkiake janë hakmarrje. “Do të doja të mos ishte, ndoshta ka qenë koincidencë. Unë kërkoj mos të ketë hakmarrje për spitalin, mos të ketë hakmarrje për kuzhinën, pasi spitali është një institucion që u shërben të gjithëve, t’i ndihmojmë dhe jo t’i sulmojnë. Unë do ti kërkoja bashkisë mbështetje maksimale”, përfundon drejtori.

Fiksi iu drejtua edhe Bashkisë së Kukësit, ku kreu i Inspektoratit Ndërtimor thotë se spitali ka kryer punime pa leje. Ai thotë se kërkesa për leje të brendshme është “online”, ndërsa thotë se kërkesa ka shkuar shumë vonë dhe bashkia nuk ka asnjë të dhënë për donacionin e kryer. Gazetarët e pyetën edhe për rrugën e pashtruar, ndërsa punonjësi i bashkisë iu përgjigj se “këto janë projekte të bashkisë, drejtori i spitalit të merret me punët e veta”.

Madje, ky punonjës shkoi edhe më tej duke akuzuar drejtorin e spitalit se po ndërton edhe shtëpi pa leje. Në fund, pohon se bashkia nuk është kundër rregullimit të kuzhinës, por të merret më parë leje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat