Nënshkruhen kontratat për financimin e 70 ndërmarrësve të rinj

Kultura

Nënshkruhen kontratat për financimin e 70 ndërmarrësve të rinj

Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 12:39
Gashi, ka nënshkruar në kabinetin e tij kontratat për 70 ndërmarrës të rinj

Në kuadër të Planit të Veprimit për Rritjen e Punësimit për të rinj, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar në kabinetin e tij kontratat për 70 ndërmarrës të rinj nga skema e granteve për fillim të bizneseve të reja, pas përfundimit të procesit të trajnimit për ndërmjetësim, proces i cili është mbështetur nga MKRS-ja, ku 400 të rinj janë trajnuar nga ky program i trajnimit, njofton MKRS përmes një kumtese për media.

Skema e ndërmarrësisë do të sigurojë ndihmë me grante në vlerë prej 3,000 deri 5,000 euro për çdo plan biznesi të zhvilluar me sukses që është miratuar në kuadër të procesit të përzgjedhjes.

“Edhe 70 të rinj përfitojnë nga skema e grandeve për start-up. Nga ky fond janë mbështetur të rinjtë të cilët paraprakisht kanë ndjekur trajnimin për ndërmjetësimin në punë dhe procesin e dhënies së grandeve për të hapur bizneset e tyre duke krijuar një rrjet të sipërmarrësve të rinj”, ka sqaruar ministri Gashi, duke thënë se këta 70 të rinj do të jenë një potencial jo vetëm për familjen e rrethin ku do të veprojnë por edhe për Republikën e Kosovës në instancë të fundit.

“Objektivi kryesor i Programit është që të sigurojë mundësi për të rinjtë e papunë për ta nisur një veprimtari biznesi”, tha mes tjerash ministri.

 Këto trajnime në ndërmarrësi u kanë mundësuar të rinjve procesin e kthyer nga një ide në një fillimi të suksesshëm biznesi. Projekti është fokusuar ekskluzivisht në krijimin e sipërmarrësve të ardhshëm, si dhe fuqizimin e bashkëpunimit në mesin e të rinjve duke krijuar një rrjet të sipërmarrësve.

 “Si Ministri jemi jashtëzakonisht të fokusuar në përkrahjen e të rinjve të cilët me propozimet e tyre kanë filluar një cikël të ri të krijimit të bizneseve”, ka thënë në fund Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat