Ministria e Kulturës premton mbështetje në fuqizim të edukimit joformal

Kultura

Ministria e Kulturës premton mbështetje në fuqizim të edukimit joformal

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 12:06
Konferenca ku janë bërë të ditura projektet dhe aktivitetet që do të mbahen me qëllim të fuqizimit të edukimit joformal

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka prezantuar planin e punës për vitet 2019/2020, ku janë bërë të ditura projektet dhe aktivitetet që do të mbahen me qëllim të fuqizimit të edukimit joformal.

Ministri Kujtim Gashi, tha se kjo konferencë ka për qëllim të shfaqë bashkëpunimin mes MKRS-së dhe organizatave të shoqërisë civile në fushën e edukimit joformal. Gashi tha se pjesëmarrja e të rinjve në këtë program deri tash është rreth 2700, ndërsa synimi i tij është që vitin e ardhshëm të marrin pjesë 10000 të rinj.

Gashi: Duam të përfshijmë sa më shumë të rinj në edukimin joformal

“Ne gjithmonë insistojmë që të kemi sa më shumë të rinj e të reja që të bëhen pjesë e programeve tona me theks të veçantë te edukimi joformal, t’i involvojmë në këtë program. Ne e kemi të qartë si ministri e veçanërisht si department, që do ta kemi një theks të veçantë për vitin 2019 dhe 2020 të tematikave të edukimit joformal. Dëshirojmë që përmes projekteve që i realizojmë, në kuadër të departamentit, të përfshijmë sa më shumë të rinj”, ka thënë Gashi.

Kurse drejtori i Departamentit të Rinisë në MKRS, Xhevat Bajrami, tha se edukimi joformal, përveç të tjerash, do t’i ndihmojë të rinjtë të qasen më lehtë në tregun e punës.    

Bajrami: Edukimi joformal ndihmon të rinjët të përgatiten në tregun e punës

“Gjatë këtij muaji vazhdimisht kemi pasur aktivitete të tilla, pavarësisht numrit se sa ka qenë, por ne po e përmbyllim vitin me një politikë dhe tematikë siç është edukimi joformal, një tematikë e cila me të vërtetë ka një numër të madh të të rinjve të cilët janë potencialë për të zhvilluar aktivitetet dhe dihet se të gjithë të rinjtë nuk mund të përfshihen në arsimin formal, por duhet edhe në edukimin joformal i cili është një shpresë për e mirë për ata që nesër të përgatiten për tregun e punës”, ka thënë Bajrami.

Ndërsa udhëheqësi i Divizionit për Edukim joformal dhe Promovim, Kreshnik Xharra, prezantoi planin e punës për vitet 2019/20 dhe tha se ky divizion është i fokusuar në promovimin e vlerave dhe edukimit joformal.

Xharra: Kryesisht do t’i promovojmë vlerat demokratike dhe qytetarinë aktive

“Tematikat e viteve 2019/20 kryesisht do të jenë promovimi i vlerave demokratike dhe qytetarsië aktive te të rinjët përmes edukimit, dhe krijimi i kulturës së të mësuarit gjatë gjithë jetës duke iu referuar edukimit personal, për ta pasur një orientim, për t’iu treguar se metodat e zhvillimit të edukimit joformal janë punëtoritë, seminaret, trajnimet, debatet, kampet, shkëmbimi i përvojave, tryezat e rrumbullakëta, konferencat dhe vizitat studimore të ndryshme”, ka thënë Xharra.

Disa nga aktivitetet që priten të mbahen këto vite janë programi Ponder, Sallonet e diskutimit, Debat në shilte dhe punëtori e konferenca të ndryshme. Për këto aktivitete pritet që MKRS ta mbulojë pjesën më të madhe të buxhetit.

Gjatë konferencës ministri ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me disa nga partnerët e MKRS-së që pritet të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat