Poezia “Kambanë në qafë!” e Agim Vincës, meritokraci poetike e estetike

Kultura

Poezia “Kambanë në qafë!” e Agim Vincës, meritokraci poetike e estetike

Nga: Sulejman Mehazi Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 10:09
Sulejman Mehazi

“Tani jam i lirë, plotësisht i lirë, të dashur miq!

I kam gjashtëdhjetë e pesë dimra e behare mbi kurriz

Dhe shtatëdhjetë e pesë euro në xhep!

“Kambanë në qafë”

Revistë letrare, Nr. 23, Fjalë e valë, SHSHM “JAKUP CERAJA” Mitrovicë, 2012, fq. 9.

Arti i mirëfilltë poetik është takim i përsosur gjërash të dhuruara. Kjo dhuratë poetike i takon poetit të përkryer dhe të pa ndalur Agim Vincës, sidomos, nga Revista letrare, Fjalë e valë, nr 23, SHSHM “Jakup Ceraja” Mitrovicë, 2012, numër tematik, i tre jubileve të rëndësishme të jetës së Agim Vincës, 65-vjetori i lindjes, 40-vjetori i fillimit të punës në Universitet dhe 40-vjetori i botimit të librit të tij të parë “Feniksi”. 

Vlen të përmendim se në këtë vështrim jemi përqëndruar për poezinë parafjalë “Kambanë në qafë!”, që është domethënia e gjithë asaj çfarë është shkruar në këtë libër jubilar të Agim Vincës.

E çfarë shpreh poeti me kambanën e tij të varur në qafë?                        

Ai shpreh të gjitha sekretet e tij poetike, jetësore, letrare, individuale, shoqërore, sociale, ekonomike, e kombëtare; shpreh thelbin e vet shpirtëror e psikologjik, sodit mevetëdije të lartë poetike realitetin e vërtetë jetësor. Kjo e vërtetë është shprehur me këto vargje:”Kur mora pusullën me vulë e nënshkrim!”/ Tani jam i lirë, plotësisht i lirë, të dashur miq!/ I kam gjashtëdhjetë e pesë dimra e beharë mbi kurriz/ dhe shtatëdhjetë e pesë euro ne xhep!”     

Tani e tutje mbi jetën e poetit do të mbesin të vulosura shumë vepra poetike e shkencore, por asnjëra prej tyre nuk është më e vlefshme se kambana e varur në qafë, sepse për poetin Agim Vinca kjo pusullë e vulosur me nënshkrim është njëfarë çlirimi poetik ”Të shkruaj kujtime për veten dhe të tjerët,/të vajtoj për ëndrrat dhe iluzionet djaloshare….,” Retiçencë poetike feniksiane. Poeti tash e tutje ”Mund të dalë në Gërmi çdo mëngjes, të pi kafe te vila Lira për vetëm pesëdhjetë centë;” “Kambanë në qafë!’ e poetit është e varur me 65 dimra sesa behare dhe vetëm me shtatëdhjetë e pesë euro pension në xhep. Absurde! Gjerësia dhe madhësia e kambanës së Agim Vincës është e mbushur me përplot vlera poetike, kritike, intelektuale; është e mbushur me studimet historike – letrare; me shkrime publicistike; me kronologjinë e jetës dhe veprimtarisë së tij; Kambana në qafë e tij është e lidhur me “Feniksin” që “metaforizon qenien shqiptare, e cila rilind pas shumë shekujsh të mbetjes së saj në harresë nën të huajt”  “Vargjet e ringjalljes”, fq.19. 

Në kambanën e tij në qafë është e varur “dashuria dhe dhembja për nënën, është e varur bukuria e “Drinit e të liqenit që kotet në qetësi” kur qielli puthet me valë” Bukuria e thjeshtësisë, fq.27., e varur biografia e tij që është e lidhur me tokën e vendlindjes së tij; vargu i tij nuk gjezdis në qiell, sepse vetëm me truallin ka pirë gjak. Zëri i kambonës së Agim Vincës varur në qafë është i mbushur me shenjat e kumtimit që si platforma të zeza zbukurojnë vendlindjen, gjuhën shqipe dhe kombin tonë të përvuajtur me shekuj. “Madhështor është përfytyrimi poetik i Osman Kicës, i cili porsi kreshnik legjendar, hidhet” mal më mal e shkëmb më shkëmb/ e ha barutin me dhëmbë”. Poezia  e Agim Vincës ndonjëherë rrjedh nga frymëzimi e ndonjëherë rrjedh nga shkëndija, nga drita që feks menjëherë. Frymëzimi poetik i poetit herë vjen nëpërmjet teknikave shprehëse, e herë pa mjete si të ndritura nga dielli përvëlues i liqerit të Ohrit.  Frymëzimi poetik drejtpërsëdrejti i hy lexuesit në zemër, por ndonjëherë poezia përfaqësohet edhe nga vet zemra e poetit. Pra, pa menduar fare, befasisht vjen një kuptimësi e caktuar në zemrën e lexuesit.. Në raste të tjera vjen si lajm metafizik, ose si një bisedë hyjnore e ndërtuar me ndjenja, arsye e intuitë. Sintagmën “Kambanë në qafë!” poeti e kupton si përgjegjësi, profesionale, jetësore, intelektuale, poetike, publicistike e shkencore; e kupton dhuratë melodike e poetike që i paraqitet poetit pa dëshirën e tij, befasisht,  për poetin do të jetë përkthyese e së panjohurës, kjo kambanë poetike ka kuptimin e nuhatjes, ndjesisë bazuar nga përgatitja intelektuale, teorike, studimore e shkenore të Agim Vinncës.  

Poezia ”Kambanë në qafë!” e Agim Vincës, e këtij mjeshtri të fjalës së bukur poetike, qoftë nga aspekti  frymëzues, qoftë nga aspekti  përmbajtesor është i mbështetur në realitetin e tij subjektiv, është shprehje frymëzuese e së vërtetës jetësore, janë fjalë që djegin lexuesin dhe përplot me kuptime. “Kambanë në qafë!” është poezi e MERITOKRACISË poetike e estetike të Agim Vincës. Ai nuk na mëson neve vetëm artin poetik, por edhe shkencën poetike, nuk shpreh  vetëm artin kombëtar, por edhe shkencën kombëtare; nuk shpreh artin e përkuljes intelektuale, por artin e reagimit; nuk shpreh vetëm popullin e robëruar shqiptar, por edhe popullin e pandalur shqiptar; nuk shpreh vetëm periudhat historike letrare, por edhe orët dhe minutat e poezisë. Ai nuk flet vetëm për demokracinë partiake shqiptare, por edhe për turmokracinë partiake shqiptare. Kambanë në qafë e Agim Vincës është vibracion poetik i akorduar me një zë ekstrem të ekzistencës. Vargjet e poezisë janë transformime ndjenjash në gjuhën poetike, kurse përvoja poetike e poetit është mjet i kësaj melodie të kambanës së tij. Poeti flet për ndjenjat e tij poetike që i ka nxjerrë nga mahnitja e transit të tij kuptimor, që më pas i ka sublimuar në poezi. 

Agim Vinca thellësishte e pranon se poezinë e ka mësuar prej dashurisë kobëtare. Për shkak kësaj dashurie vdiqën edhe shumë më të rinjë se Agim Vinca: “Migjeni nuk e pati këtë fat. Për të kjo qe një ëndërr e largët./ Për moshën e kam fjalën./ As   Naimi jo. I mori para kohe që të dy tebeceja./ Luigjin plumbi, Bilalin thika,/, Jusufin prita në Untergrupenbah vetë i tretë…,/ Enigmë e një vrasje të trefishtë!” Majakovskin, Lorkën, Hikmetin, Bajronin, etj, Dhe Plaku i Makit, De Rada nderroi jetë thotë Agim Vinca “me një cironkë në xhep”

Vargjet permbyllëse dhe fundi i frymëzimit ‘’Kambanë në qafë”

Në vargjet përmbyllëse të poezisë ”Kambanë në qafë!” Agim Vinca nën trysninë e transit dhe ekstazës poetike ndien një ngushtim poetik, duke na bërë me dije se edhe poezia sikuse proza është e pamjaftueshme për të shprehur atë që do ai vet;”A s`është për t`u lakmuar kjo?!”/ Mund ta shkruaj testamentin si Dhimitër Pasko/e t`u lë porosi gruas dhe fëmijëve:/”Atdheu është atdhe edhe kur të vret!”/ Pardon, kur të nxjerr në pension!/Me shtatëdhjetë e pesë euro në muaj/për bukë, ujë, qumësht, ilaçe, qefin a plaf…” Që sipas shenjave të ?! (pikëpyetjes dhe pikeçuditëses) poeti gjendet në udhëkryqin poetic, sepse, në njërën anë përdor arsyetimin e tij intelektual, me anë të pikëpyetjes, kurse në anën tjetër, habinë, emocionin, përjetimin poetik, me anë të pikëçuditëses. Këtë e bën me qëllim për t`i dhënë forcë emocionit poetik, jo me fjalë, por me heshtje kuptimore shpirtërore; në këtë gjendje të frymëzimit poetik Kambana e tij shndërrohet në protestë testamentuese poetike.

“Dhe titullin kumbues Profesor Doktor

Varur si kambanë në qafë!

Si kambanë në qafë!

Kambanë në qafë!

Në qafë!

Ah!

Pra, poeti kur është në këtë gjendje të frymëzimit poetik i dorëzohet  pasthirrmës “Ah”; në këtë shkrirje poezia ngritet në gjendje më të lartë dhe e humb fillin. Sepse sipas vargjeve të fundit: ”Si kambanë në qafë/Kambanë në qafë!/Në qafë! Ah! Poeti Agim Vinca shkronjat, zërin dhe fjalët i copëton duke i përplasur njëra me tjetrën për të biseduar vetëm me pasthirrmën protestuese, emocionale, Ah!. E ç`është Ah-ja? Çlirimi poetik dhe zëri i kambanës poetike të Agim Vincës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat