Flora Selfo: "E pafalshme, komunizmi na vodhi edhe jetën"! - Bota Sot
Flora Selfo: "E pafalshme, komunizmi na vodhi edhe jetën"!

Kultura

Flora Selfo: "E pafalshme, komunizmi na vodhi edhe jetën"!

Nga: Moza Boletini Më: 5 janar 2019 Në ora: 21:06
"Xhevdet Selfua dhe djemtë e tij që punuan për lulëzimin e Shqipërisë"

Për TV - Zërin e Amerikës, Zj. Flora Selfo tha: " E pafalshme, komunizmi veç të tjerave, na "vodhi" edhe Jetën". Dhe mikja ime ka plotësisht të drejtë.

Në muajin Janar të vitit 1910 lindi në Gjirokastër nga një familje patriotësh, intelektuali dhe atdhetari i shquar Fejzi Selfo. Në kujtim të jetës, veprës dhe persekucionit komunist të tij dhe familjes nga diktatura komuniste në Shqipëri, po sjellim të ribotuar disa fragmente nga libri me titull "Të tregosh për Selfot" me autor pinjollin e familjes së Topullarëve Bajo Topulli.

Ja si i fillon shënimet e tij autori Topulli: Tragjedia e Selfatëve të Dunavatit.

"Xhevdet Selfua dhe djemtë e tij që punuan për lulëzimin e Shqipërisë"

Fisi i madh i Selfove e sidomos familja e Xhevdet Selfos, veç meritave patriotike është nga të parat që ka kontribuar edhe për ngritjen e zhvillimin e disa qendrave urbanistike të qyteteve të Jugut të Shqipërisë, duke filluar nga viti 1921. Xhevdet Selfua, ndryshe nga shumë gjirokastritë që investonin në bujqësi e blegtori ose qe e ruanin paranë "floririn" nëpër sepete, bëri të kundërtën. Ai me djemtë e tij fillimisht u morën me investime në ndërtimin urbanistik, duke filluar nga Saranda, Gjirokastra e më pas edhe në Shqipërinë e mesme deri në Tiranë.

Qeveria e Lushnjës është e para qeveri shqiptare që mori disa ndihma nga fuqitë europiane për stabilizimin e popullatës çame, e cila pas masakrave nga qeveria greke u detyrua të vinte në trevat e jugut. Firma ndërtuese e Xhevdet Selfos, e organizuar me inxhinjerë e punëtorë dhe me bazë materiale, mori përsipër e ndërtoi në qytetin e Sarandës mbi 40 - 50 ndërtesa njëkatëshe, ku u sistemuan një pjesë e popullsisë çame.

Më vonë filloi të ndërtojë vila dy tre katëshe dhe disa të tilla ekzistojnë edhe sot. Xhevdet Selfo dhe 7 djemtë e tij investuan dhe në drejtime të tjera, si në tregëtinë e materialeve hidraulike, atë të stofrave etj., duke hapur dyqane të shumtë në Gjirokastër, Durrës, Tiranë dhe u lidhën edhe me firma të huaja. Pra në vitet '30 ata investonin në disa drejtime dhe punësonin edhe qindra njerëz. Një drejtim ishte edhe ai i hapjes dhe zhvillimit të rrugëve, duke u lidhur edhe me firma të huaja italiane, ku në veçanti me këto punime u mor Fejzi Selfo.

Xhevdet Selfo me zotësinë e tij, edhe djemve iu dha arsimin përkatës brenda dhe jashtë Shqipërisë, i kishim gjiton (komshi). Ai kishte një shtëpi të madhe trekatëshe, me bahçe, me pemë e lule, sigurisht edhe me punëtorë për për mirëmbajtje e me shërbyes. Nga fëmijët e shumtë të Selfatëve mbaj mend vetëm dy djem, Agimin më i madhi dhe Pëllumbin, moshatar me të cilët loznim ditë për ditë bashkë.

Xha Xhevdeti kur u moshua hoqi dorë nga drejtimi i aktiviteteve duke ua lenë barrën djemve, të cilët edhe ata ishin administatorë e llogaritarë të zotë. Ai zbriste dhe ngjitej në shtëpinë e tij me një gomar të madh të racës "Martino Franca" e tërhiqte prej kapistre një djale nga Dunavati dhe vetëm ai i shërbente. Ky djalë më vonë u bë oficer në Ministrinë e Punëve të Brendshme (nuk ia mbaj mend emrin) por fliste mirë për atë familje.

Gjimnazi i Gjirokastrës i ndërtuar me një stil modern është vepër e Selfatëve dhe ekziston edhe sot. Nuk jam i sigurt edhe për Bashkinë e re (sot është e lidhur me Turizmin) por edhe shtëpitë e bukura në Varosh, godinën e Zigajt apo të Themeli Litos, po këta i kanë ndërtuar. Vila të shumta ndërtuar nga Selfot ekzistojnë edhe sot në Durrës e Tiranë.

Djemtë e Xhevdet Selfos ishin bujarë dhe karakterizoheshin nga një thjeshtësi dhe komunikonin me këdo. Sigurisht për çështjen kombëtare, nuk mund të qëndronin në heshtje apo neutralë. Disa djem punonin në Gjirokastër të tjerët në Durrës, apo Tiranë, unë mbaj mend Qazim Selfon, i cili ishte shok me ne Topullarajt. Ai kishte pikëpamje nacionaliste, kështu që kuptohet përfundoi në organizatën e Ballit Kombëtar...madje nuk e di fatin e tij deri në fund.

Djali i madh i tij, Agim Selfua, u inkuadrua në rininë e Ballit, ishte një djalë rreth 17-18 vjeç, e pashë për herën e fundit me pushkë të gjatë. Kur forcat e Ballit Kombëtar sulmuan divizionin "Peruxhia" të ushtrisë italiane në Gjirokastër edhe ai nuk mbeti mbrapa tyre, por kaloi telat me gjemba dhe ..atje ngeli me ballistët e tjerë. Qazim Selfua nuk e di se si përfundoi pasi erdhi tek vëllezërit në Tiranë.

Reis Selfua, ashtu si dhe Agimi ishte nacionalist, si dhe Qazimi e Fejziu. Kurse Halit Selfua qysh në fillim përqafoi idetë komuniste. Ishte partizan dhe arriti të bëhej edhe komisar i një çete në jug. Masari ishte djali i katërt i Xhevdetit, që megjithëse merrej me ekonominë e tregëtinë, së bashku me vëllain tjetër e pësuan më keq, duke i hequr fare nga Tirana e duke i çuar në Shkodër, deri sa përfunduan të punonin me tulla e llaç. E kush?! Ata që i dhanë edhe luftës nacional çlirimtare çdo gjë. 

Zhvillimi i aktivitetit të firmës Selfo bëri të mundur edhe ndërtmin e lidhjes së Shqipërisë së jugut me rrugë e ura monumentale, si ura e Dragotit, ura e Bënçes,. etj. Inagurimi i urës së Dragotit u bë me datë 29 shkurt 1936. Sipërmarrëse ishte shoqëria e dëgjuar italiane "Ansaldo" e Xhenovës dhe nënsipërmarrës ishin zz. Selfo - Calculli, kurse punimet i drejtoi inxhinjeri i shquar Korrado Konfelanieri. Kjo urë u ndërtua me të hollat e huasë SVEA e kushtoi 353.952 franga floriri. Gjatësi e urës ishte 108 metra, gjerësia bashkë me pezulet 7 metra e gjysëm. Lartësia, nga sipërfaqja e ujit gjer në kulmin e urës 27 metra. Peshon 500 ton hekur. Reis Selfo i qëndroi kësaj ure në kokë dhe kur u bë inagurimi, paria e Gjirokastrës deshi ti vinte emrin "Ura Selfo". Por vëllezërit me modesti nuk pranuan. 

Ajo urë lidhi Gjirokastrën me Përmetin, verilindjen dhe me Beratin. Për nga konstruksioni mënyra e ndërtimit përmasat e qëndrueshme, bukuria etj. edhe sot e kësaj dite është ndër më të arrirat e më të bukurat e llojit në Shqipëri. Pra këta ishin Selfatët, dhe kjo urë ashtu si dhe vepra të tjera të tyre çmohen edhe sot.

Për ironi të fatit e zhvillimeve sa keq e pësoi kjo familje që dha gjithçka edhe më pas vuajti të zitë e ullirit. E nga kush?! Nga ata të pabesë që nuk ua njohën të mirat që bënë. Si gjithë tregëtarët, pronarët e tokave e të blegtorisë, të fabrikave bile edhe të punishteve edhe Selfatët pas 1945 i zuri ligji i tmershëm i sekuestrimeve me moton"Fitime të jashtëzakonshme gjatë luftës". Pra, nga tatimet e jashtëzakonshme nuk i shpëtuan edhe ata që kishin ndihmuar luftën. Me hir e me pahir u caktuan shumat që duhej të jepte seicili pronar (aga, bej apo...) E këto "tatime" e "gjoba" si në qendër e në rrethe, i caktonin ata që drejtonin disa smirëzinj e dembela vetëm se kishin luftuar. Gjithçka me parrullën luftë klasave shfrytëzuese!

Selfatëve ua morën e sekuestruan dyqanet me mallra të shumtë, shtëpitë e tyre, vila, ku u futën e strehoheshin njerëzit me pozitë, si Pashkot në Tiranë etj.

Në lagjen tonë të Dunavatit, shtëpia e Xhevdet Selfos që përshkrova më sipër tani i ngjan një karakatine që .... sigurisht edhe në Tiranë e gjetkë ua morën duke u strehuar klasa e re që mori fuqinë pas 1945-ës. 

Kaq mendoj të them në këto faqe për familjen e Selfatëve dhe tragjedinë që pësuan ata djem fisnikë e punëtorë të talentuar. Por detyrohem të përmend edhe diçka për dy nga djemtë e xha Xhevdetit, sepse këtë ma nxiti e veja e Enver Hoxhës, Nexhmija në një emsion televiziv.

Enver Hoxha në Tiranë, jo vetëm kur doli në ilegalitet por edhe përpara, ka përfituar nga Syrja e Reiz Selfo, ndihma në para, ushqim e veshje, bile edhe strehim. Ndihmë bujare që e jep zakonisht familja fisnike,. Jo vetëm që e kanë mbrojtur atë, por edhe para flori i kanë dhënë lëvizjes. Por në librin e tij "Kujtime të vegjëlisë" E. Hoxha shkruan shumë keq për Fejzi Selfon, duke e denigruar padrejtësisht, sikur ai ishte "xhore" e nuk mësonte, ndërkohë që Fejziu zotëronte tre gjuhë të huaja italisht, frëngjisht dhe greqisht. Por harroi se kush e mbajti më vonë me para e strehë e besë. Ata moshatarë që e kanë njohur, ndonëse me gjysëm zëri tregojnë të kundërtën. Më tej ai thotë me përçmim se Fejziu u bë një ballist i qelbur...

Si mund ta kuptojë brezi i ri E. Hoxhën, kur në një libër tjetër të tij flet për Syrja Selfon, të cilin e vrau gjoja Koçi Xoxe, dhe Enveri e paskej pyetur: "Mos e keni torturuar?", "Jo - i thotë Koçi Xoxe - shiko që e ka pranuar vetë që ka qenë agjent? (duke i treguar firmën)". Këtë përmendi në emision zonja, por nuk e zuri në gojë Reiz Selfon, vëllain e Surjait që u pushkatua me të ashtuquajturën bombë në ambasadën sovjetike, në fillim të viteve 50. Mirë Syrjanë që e paskej vrarë Koçi, po tani që Koçi ishte eleminuar, pse Enveri lejoi ose urdhëroi, të pushkatohej Reizi?! 

Po doktor Enver Sazanin, që e kishte "gjoja" shok të ngushtë e kishte miqësi me të, kudo e deri në Francë, pse lejoi të vritej? Nuk flas për kunatin, Bahri Omarin, nacionalistin e madh dhe antizogistin, që ishte një shqiptar i veçantë, sepse kishte idealet e tij. Dihet që Bahriu e ndihmoi, strehoi dhe e rriti këtë njeri... Fejzi Selfo, e kishte djalë halle Bahri Omarin. E ç'mbetet nga gjithë këto të vërteta tragjike, pas asaj që zonja e tha me mburrje se "Enveri ishte një njeri që nuk ndërhynte tek Koçi Xoxe apo Bedri Spahiu"...?!

Sa e habitshme dhe cinike?! Sikur do të ndërhynte për ti bërë ministra, ndërkohë që ata u dënuan me vdekje të pameritur! Gjithë opinioni, dje dhe sot, nuk mund ta pranojë këtë "arsyetim" i cili nuk bind askënd, përkundrazi, ju le terren besueshmërie atyre që thonë se E. Hoxha i zhduku këta "shokë" e "miq të tij" ...sepse i dinin shumë gjëra që...." Po se mos ishin këta të fundit!... Shënim: Fragmentet e librit "Tragjedia e Selfatëve të Dunavatit" u ribotua me kërkesën e të bijës së Fejzi Selfos, Zj. Flora Selfo.

Lexues të dashur këtu mbarojnë shënimet e pinjollit Bajo Topulli, ku shkruan për fisnikërinë e persekucionin komunist të familjes së madhe e patriote të Xhevdet Selfos e djemve të tij, ku njëri prej tyre Feizi Selfo, që dha aq shumë për kombin e vatanin e tij, si shpërblim diktatori Hoxha e burgosi, i pushkatoi e vrau vëllezërit e nipat e tij, jo vetëm Agimin e Hajredinin (Çoçon) i cili u pushkatua një vit pas vrasjes së të atit Reizit, por i dëboi, internoi e syrgjynosi komplet familjen, dhe vajzat e tij, ku njëra prej tyre Zj. Flora Selfo, të cilës sigurimi i shtetit i burgosi edhe të shoqin në Shqipëri, sot jeton në SHBA me të birin Akil Bushati dhe bashkëshorten e tij Dolora Bushati. Dolora ka lindur në kampet e internimit politikë në Shqipëri, në SHBA përfundoi shkëlqyeshëm Universitetin, dhe ka mbrojtur me rezultate të larta masterin dhe dipllomën PhD. Janë njerëz të shkëlqyer, dashamirës me këdo, jo hakmarrës, por kërkojnë zbatimin e ligjit për çdo shkejle e padrejtësi, janë për demokracinë e paqen e popullit shqiptar, amerikan dhe gjithë popujve të shtypur në botë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...