Kurorë sonetesh - Bota Sot
Kurorë sonetesh

Kultura

Kurorë sonetesh

Nga: Nexhat Halimi Më: 8 janar 2019 Në ora: 21:09
Nexhat Halimi

tufa me ca lilakë

treni tashmë vjen e nuk i lidh largësitë

natën për dritare të hapur shtrihet vetmi

tufat e territ derdhen mbi bimët në hi

veç brenda meje i lëviz gjaku afërsitë

gjarpër mitik i shtëpisë s`dëgjohet dot

jeta s`e ndal ritmin brenda as jashtë

është verë dikush në fushë djeg kashtë

ëndrra për ty pikon mbi shpresë kot

ura e zbrazët vala ndjek valën në lumë

fus kokën nën jastëk dhe shaj me nënë

për frëngji përvidhet pa gjak pak hënë

ndërroj krahun ndoshta bëj `i sy gjumë

e mbështes kokë i gjakosur për shpatë

urës kapërcen  hija derdhet vetëm natë

II ëndërr e rëndë dimri

urës kapërcen  hija derdhet vetëm natë

lë kujtimet përpiqem t`i ik gishtat ujit

ëndrrat fiken veç pikas gjurmë të mujit

pse ky udhëtim i shfaqur në shtrëngatë

vij te liqeni në farmzen vjen dhe ti aty

të afrohem me `i libër të vogël në dorë

ndërmjet pak hapash bie shi  bie borë

kaq vjet ecim me mall të ndezur në gji

fërkoj sytë kaq ashpër dua për të të parë

terr i dendur asgjë tjetër nuk ka ngjarë

çdo gjë sillet as je ti as jam unë te liqeni

në ëndërr të rëndë dimri fle farmzeni

kollitem shikoj hënën e rënë në lëngatë

fijae imagjinuar ik varrës dhemb gjatë

III te varri në kodër

fija e imagjinuar ik varrës dhemb gjatë

s`është e trilluar pritja as ëndrra aspak

nën gjethet e trëndafilit të pikura me gjak

të vërej nga vjen urës për çdo natë

prapë nuk je aty asnjëherë në mëngjes

afshi e kuptimi i frymës sate s` ik fare

kot pse ulliri bie i pa ndjenjë në dritare

pse shpirtit përplaset prapë në kujtesë

te varri në kodër vij me paterica e fanar

mes guri e guri të nënës ende nuk ka bar

as lule nuk ka e më zgjon shpirtit `i erë

veç ec dhembjen e pashuar tash e atëherë

shkallët e jetës a do t`i lidhin largësitë

atuja s` është gjithnjë një nga dëshmitë

IV fotografi e vjetër

atuja s` është gjithnjë një nga dëshmitë

ajo s`e fiton shpirtin kot është pse ka letër

ty të luan kuturu e kthen në terr tjetër

veç në duart e fatit e të besimit ti ndrit

kaq larg dhe humbur prapë fitoj unë apo

hija zhduket në unaza të zjarrit të gjakut

kot është t`i ikësh dashurisë së plakut

gjithnjë në duart e besimit flakëron ajo

tashmë mashtrimi nxjerr gjuhë gërvallet

e varra më sjell rreth ruletit e etja ngjallet

kaq kohë e hedh pikën e prapë digjem

në humbje të fatit të djegur përligjem

e pakëz hënë ra në ujë e jallia rreth ndriti

me fotografinë e vjetër rropatet shpirti

V ti je gjaku im

me fotografinë e vjetër rropatet shpirti

pikas peizazhet pamjet lirike në kornizë

pemën e vjetër aty trungun me shtizë

ja me ty për dore dal ëndrrës në shëti`

kanë ndërruar data çaste ngjarje me lot 

ti vetmuar buzë elbe unë verbër në botë

dy flakë pa arritur t`i kryqëzoj në gotë

veç me besim në ty në frymë dhe në zot

ti je gjaku im i thotë të dashurës kamy

njëmend gjak im i paepur je s` ndërron

kurrë nuk ndërron  as për mua as për ty

ja pse bie pika e gurin me vjet e shpon

ja pse dhemb djeg pse është kaq dashuri

e për dritare të hapur përvidhet egër shi

VI në avullin e xhamit

e për dritare të hapur përvidhet egër shi

në avullin e xhamit a të kujtohet fryma

a të kujtohet në barin buzë liqeni bryma

në mendje nga e thurnim krijimin e ri

ëndërronim të fluturonim lart për zjarr

gjysmë të fjetur e kaq të zgjuar përsëri

një me zogun e djegur e të krijuar në hi

simbol i sakrificës e i flijimit në altar

 

dashuria s`është tjetër veç yll i feniksit

në zbritje e në ngjitje për zjarr të gjakut

vritet e prapë vjen e ik brenda sutakut

qëllimet ndjenjat ndrisin hijen e sfinksit

s` përgjigjem dot as për mua as për ty

ca kama më përhiten prej largu mbi gji`

VII peshku i artë

ca kama më përhiten prej largu mbi gji

më pikin gjak dhembjet prerjet e thikës

e zgjojnë zbritjen e dimrit prej grykës

udhës prej nga arritëm në ethe unë e ti

e vetmja gjë na lidhte me peshkun e artë

me etjet e çuditshme e pemët në kodër

me dëshirat e heshtura në secilën lodër

me dritëz syri në çdo shkronjë të zjarrtë

përpiqeshim të mos shfaqim frikë aspak

në bërryla të secilës udhë hasnim gjak

llavë të egra vrisnin ëndrrat pamëshirë

 

orë të liga në çdo pëllëmbë digjej shpirti

të flijuarit e mirë i prek heshtja me lirë

apo krijon frymë dashurie në pemë yrti

VIII portreti yt

apo krijon frymë dashurie në pemë yrti

tri kokrra qershie në `i gem e `i pjeshkë

nën rrap gjyshi ndez duhan me eshkë

e fotografia e vjetër e vënë mbi një kuti

a të kujtohet portreti yt në kuti je dhe ti

ngrehur në majë gishtash çel dritaren

në parvaz ndritur agu e lexon abetaren

e në degëzat e puthura për qelqi bie shi

të shkruaj letër  një e një i zgjoj detajet

ti s`je afër diçka e rëndë m`i plas vajet

ndezur malli përmbi hijen dal në dritare

me ty për dore ik e vij te lisi me dy degë

luhatemi këngës së ndezur për  `i shegë

letra kaq kot të dërgoj e nuk arrijnë fare

IX pres me kokë në dritare

letra kaq kot të dërgoj e nuk arrijnë fare

në stacion me ditë në peron  të pres kot

ikin trena vijnë dalin udhëtarë ti s`je dot

kaq vjet harrohem me kokë në dritare

prapë dal në stacion pres me kaq durim

i fundit ngel shtyllë e vetme në peron

ik një tren vjen `i tjetër oh dhe ky kalon

as shenjë jotja zanë e vogël veç vajtim

prapë kthehem tek gjakshkrimi për ty

e marrë penën e radhisë rreshta të gjatë

përmbi dritare tashmë bie dendur natë

pres mëngjesin e dal në qytet me letër

me një me dy me tri letra e kaq dashuri

i nis prapë kthehen shkak adresa tjetër

X   letër e këputur

i nis prapë kthehen shkak adresa tjetër

ç` ndodh në këtë mënyrë me ty vallë

mallëngjimi kaq vjet djeg e prapë gjallë

asnjë përgjigje s`ka nga europa e vjetër

kaq hutuar kaq  pashpresë kaq në ethe

kjo gjendje e sëmurë shfaqje e zjarrmisë

në gjumë të rëndë ndjenjës së vetmisë

shpirt thyer mbledh për ty lule e gjethe

zëri yt papritur më përmend  brof vrik

ndoshta ti gjendesh në dhomë e prapë ik

dridhem në rrëqethje të dendura ulërij`

marr letrën e përsëri ec ngricash në veri

nis të të shkruaj për vetvete i hutuar fare

lë penën në tryezë e dal etur në dritare

XI poezia është ilaç

lë penën në tryezë e dal etur në dritare

kurrë kujtimit s` më kanë zgjuar yjet

ja tash shikoj e mendja më ik te ti e fijet

fijet me të cilat lidh largësinë e madhe

është dhembje e madhe të jesh pa sytë

është dhembje e madhe të jesh pa fjalët

ik e zbret bregut e të mpihen shalët

në hyrje të fshatit bie nata mbi orgjitë

askujt s`i dhemb pse për vdekje thërras

pse më shqyen vetmia e ëndrra më plas

pse me kaq zë i flas etjet për poezitë

poezia është vrasje e njëherësh dhe  ilaç

të vetmen ëndërr e gjithësi ma shfaq

aroma përmes frymës zgjon mrekullitë

XII prania e trëndafilit

aroma përmes frymës zgjon mrekullitë

kaq thekshëm ndihet prania e trëndafilit

ti ngjallesh në rrezen katërshe të tërfilit

unë në rrënjën e dashurisë prek ullinjtë

tremijë vjet e njëjta gjë zgjohet e digjet

ngjashëm me zogu e flatruar prej mitit

s`është feniksi veç gjak i pikur i shpirtit

kaq vjet toka flaka guri e uji përligjet

toka natyrisht ajo e kjoe  prekur besimit

për damarë ndezur në degëza vetëtime

bisha çartur etjes në shpërthim ulërime

ja në kodër gjurmë të mbetura të trimit

tatuazh i zemrës i gurit të çarë e të vjetër

kjo çfarë shihet s` mund të jetë e fjetur       

XIII syprinës së ujit

kjo çfarë shihet s`mund të jetë e fjetur

ja unë vij i etur të të has përreth liqeni

agon tashmë tek uji ka zbritur dhe dreni

vetëm portreti yt im ende s`janë gjetur

i ka djegur për kaq vjet ëndrra e malli

veç shfaqen humbin e shfaqen përsëri

rreth uji kallamin përplas erë me furi

ikim liqenit të dy ja veç gjurmë te zalli

me balona lozin tej uji tre vocërrakë

rreth tyre shfaqet mjekërbardhë `i plak

ai flet shqip e ata qeshin me kërshëri

e syprinës së ujit ka rënë një tis qetësi

nuk do të vonojë e nata terr do të sitë 

është dhe ca varrë në gjak nga dremitë

XIV vrasja e zbrazësisë

është dhe ca varrë në gjak nga dremitë

në lot pres të vish me tren në mesnatë

gjithë shpresë e kaq etje të `i kohe të gjatë

mbase vjen të mos më vrasin zbrazësitë

pres fund peroni tërheq hidhët parabola

ka ca poet të zellshëm e ca libra të mirë

si të matemi me botën është vështirë

zë udhë ende ndonjë gjarpër e pak bolla

veç atdheu ynë është mbase e prek drita

në secilin bërryl të udhës shfaqen prita

oh lart ka ende kaq kokë kunguj të ngrirë

 

do t`i prek koha patjetër për t`i shkrirë

ti do të rikthehesh atëherë t`i ndiej afritë

treni tashmë vjen e nuk i lidh largësitë

magjistrali

treni tashmë vjen e nuk i lidh largësitë

urës kapërcen  hija e derdhet vetëm natë

fija e imagjinuar ik varrës dhemb gjatë

atuja s` është gjithnjë një nga dëshmitë

me fotografinë e vjetër rropatet shpirti

e për dritare të hapur përvidhet egër shi

ca kama më përhiten prej larg mbi gji

apo zgjon frymë dashurie në pemë yrti

letra kaq kot t`i dërgoj nuk arrijnë fare

i nis prapë kthehen shkak adresa tjetër

lë penën në tryezë e dal etur në dritare

aroma përmes frymës zgjon mrekullitë

kjo çfarë shihet s` mund të jetë e fjetur

është dhe ca varrë në gjak nga dremitë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...