Në vend të homazhit - Bota Sot
Në vend të homazhit

Kultura

Në vend të homazhit

Nga: Lekë Mrijaj  Më: 11 janar 2019 Në ora: 13:36
Imzot Mark Sopi

Trembëdhjetë vjet më parë, nën mëshirën e tij profetike iku për në pavdekësi, imzot Mark Sopi, ish-Ipeshkëv i Dioçezës së Kosovës 

Sot, me 11 Janar 2019, janë bërë trembëdhjetë vjet që kur nën mëshirën e tij profetike iku për në pavdekësi, imzot Mark Sopi, ish-Ipeshkëv i Dioçezës së Kosovës, e që mbetet një vlerë e shquar e fesë dhe e kombit tonë. Ky bari shpirtëror ishte një emër kyç i Dioçezës së Kosovës por edhe mbetet një emër emblematik që lidh një nga epokat më të ndritura dhe më të vështira të okupimit, e të historisë sonë të lavdishme kombëtare. 

Me kulturën e tij të gjerë enciklopedike të një eruditi dhe me mendimet e tij iluministe e atdhetare, me punën e gjatë të tij misionarike afër dyzetëvjeçare, imzot Sopi, gjatë misionit të tij sa ishte gjallë ka përmirësuar jetën shpirtërore të misionarëve. Veçanërisht ai u angazhua në ngritjen e kualitetit të jetës shpirtërore të besimtarëve dhe të përgatitjes së klerit të vendit, si në Kosovë, Shqipëri, e në mergatën tonë Shqiptare. Ai si prelat, jo vetëm se shquhej si bari i mirë shpirtëror por edhe si një atdhetar, me një dashuri të pakufi për atdheun e popullin e tij. Më konkret ishte një filozof e dijetar mendje ndritur me vlera civilizuese, euroatlantike e njerëzore. 

Poashtu siç është potencuar nga shumë opinionistë të njohur, imzot Sopi, dha kontribut të veçantë edhe në pajtimin e hasmërive e gjakmarrjeve ndërmjet shqiptarëve, që ishte një thirrje për botën euroatlantike në shpëtim të popullatës së saj të pambrojtur Evropiane, pikërisht ishte në thirrje të kushtrimit për mbrojtjen e të drejtës sonë shqiptare për Liri, Demokraci dhe Pavarësi të Kosovës. I përndritëshmi imzot Mark Sopi, gjatë periudhave të idhëta e të vështira të okupimit në fund të viteve '80-ta, të viteve '90-ta, të periudhës së luftës e pas luftës, deri sa ishte gjallë (11 janar 2006), njihej dhe çmohej personaliteti e karizma e tij, njëkohësisht emri i tij përmendej dhe pranohej jashtëzakonisht si një vlerë emblematike nga të gjithë intelektualët e kauzës kombëtare. 

Ipeshkvi ynë kudo që sherbeu, qoftë si meshtar, që në fillim në Kosovë e Shqipëri e më vonë si Ipeshkëv i Dioçezës së Kosovës, të gjitha këto detyra i kreu jo vetëm si klerik, por edhe si patriot i denjë me vlera të pranushme tipike profetike. Pikërisht ishte një kohë të gjatë edhe një bashkpunëtor i frytshëm i Revistës Kulturore “Drita” e më vonë edhe bashkpunëtor i Revistës “Kambana e së Dielës” në Shkodër. Njëkohësisht ka drejtuar revistën fetare “Vegime Drite”. Ka botuar veprat: “Baca Kolë dhe famullitari” (1995), “Martirët e Karadakët” (1996), “Koncilët Ekumenikë” (2000) dhe “Shën Lucia” (2003). Nga njohja e tij për së afërmi, imzot Mark Sopi, përveç se njihte gjuhën amtare të tij, ai dinte edhe gjuhën italiane, latine e serbokroate, 

Sot edhe Kisha e Famullisë "Zoja e Këshillit t'Mirë" në Klinë, në trembëdhjetë vjetorin e ikjes së tij në amshim mbajti një meshë përshpirtërore dedikuar këtij prelati të devotshëm, e cila e celebrua nga don Lenc Sopi, Dekan i Dekantit e Famullitar i Kishës së Klinës. 

Megjithë vlen të potencohet se për kontributin e tij madhor misionarik: bamirësi, pajtim të gjaqeve, çlirim, shtetndërtim, si duket emri i këtij personaliteti tash e trembëdhjetë vite është lënë në gjysmëharresë dhe për asnjëherë nuk i është dhënë merita që i takon nga institucionet tona. Imzot Mark Sopi, u lut për ne Shqiptarët, në amshim dhe shpirti i tij pushoftë në paqe!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...