Mjerimi, ka motër lutjen

Kultura

Mjerimi, ka motër lutjen

Nga: Delvina Kërluku Më: 16 janar 2019 Në ora: 20:50
Delvina Kërluku

Në tregun e Bit Pazarit në Shkup, sheh fytyra të zbehta dhe sy të përlotur të shitësve.  Ata kanë dalë të shesin gjësende,  të dorës së dytë, për të përfituar  një shumë të parave, për të ushqyer familjet e tyre. Presin me orë  të gjata, për të kaluar një blerës.  Dimri i acartë ua ka mpirë duart  dhe këmbët. Rrinë të ngujuar,  mbështetur shtyllës së llambës  elektrike. Para këmbëve kanë vendosur një kuti kartoni dhe sipër  kanë vënë celularët, dikush tjetër  veshmbathje, çokollata, lule çaji,  pemë, perime, etj. Fitimin që e  marrin nga shitjet, nuk mjafton  për mirëqenien e tyre familjare. 

Puna e lodhshme, koha e papërshtatshme, të ardhura të ulëta,  duket se mjerimi ka vënë vulën e  shëmtuar te këta shitës. Shihet se  janë të pakënaqur me punën që  bëjnë, është e neveritshme, e keqe,  e turpshme, shihet në ballin e tyre,  në sytë që e shprehin, buzët që më  kot mundohen ta fshehin.  

Quhen njerëz të padijes, e përbuzen. Pranë tryezës, mbesin me  bark të uritur, gjithmonë të pangishëm. Mjerimi i tyre s’ka fat. Por  ka vetë flamuj të një shprese, të  copëtuar shpirtërisht dhe të neglizhuar nga shoqëria, institucionet, të dalun bese. Veshja e tyre  me lecka të mykta, të qelbta, të  ndyta, të lagta nga moti. Atyre u  është shuar forca, ëndrrat u janë  errësuar, u fashitet etja në epshin  kapërthyes. Mjerimi ndrit në sytë e  tyre edhe dridhen porsi flaka e  mekun e qiririt. Dridhet nga i ftohti, qan shpirti i tyre. Mallkon shtet  e dreq, mallkon barrën e rëndë. Fëmijët e tyre nuk qeshin, por vetëm  lëngojnë, shtëpia s’e do, por vetëm  e mallkon. Vallë sa i trishtueshëm  është djepi i skamjes, kur fëmijët i  përkundin me lot. Mjerimi rrit fëmijët e tyre nën hijen e shtëpive të  rrënuara.

Zëri i varfanjakut nuk arrin aty ku mund t’u prishet qetësia  zotërive – politikanëve. Ata punojnë jashtë në trotuaret e ftohta,  ditë për ditë duke u rrjedhë djersa  në ballë. Kjo gjendje, në treg,  shihet jo vetëm sot, por çdo mot,  në të ftohtë e në vapë. Kalimtarët  që parakalojnë, ndonjëherë blejnë,  por nëse kanë marrë rrugën me të  shpejtë, u pengon trotuari i zënë.  Në njërën anë ka ankesa të shitësve, për punësim e kushte më të  mira në treg, nga ana tjetër qytetarët ankohen për palëvizshmërinë e rregullt në trotuar. Këto  ankesa kanë shkuar në veshin e policisë, ku kanë hequr shitësit në trotuare, por ata përsëri kanë  këmbëngulë, sepse bukën e gojës e fitojnë nga shitja në rrugë.

Jashari, 36 vjeçar, i cili shet celularë të përdorur më parë thotë se është dënuar dhe nuk ka patur  mundësi të paguaj borxhin, prandaj është detyruar të punoj në institucionin e higjienës komunale, ku ka fshirë për shumë muaj, ditë edhe natë, rrugët e lagjeve të pasura të Shkupit. Ajo kohë i ka kushtuar shumë në kurriz të vet, duke mos fituar asnjë qindarkë. I pa  përkrahur nga institucionet shtetërore, për ti gjetur një punë, ai ka  vendosur sërish të del në rrugë.  Por, kjo punë i ka shkaktuar dhimbje në gjoks, dhimbje në eshtra. Mjerimi për të ka motër lutjen dhe lutje si nga fundi i ferrit, është zëri i njeriut që vdes nga skamja  dhe i ftohti i dimrit të janarit. Matanë është Isa, që është vetë i shtati në shtëpi, ai thotë që s’ka  punë e del në të ftohtë. Sepse mjerimi s’ka gëzim, por vetëm dhimbje, dhimbje të padurueshme që të bëjnë të çmendesh. Secili nga shitësit kishte halle të ndryshme në treg e në shtëpitë e tyre,  por kishin një gjë të përbashkët,  vuajtjen dhe mjerimin. Vetëm zëri i tyre që dilte nga shpirti thoshte: ”Është shumë ftohtë, ne kemi dalë se nuk kemi nga t’ia mbajmë,  nuk kemi zgjidhje tjetër, fëmijët duan bukë”. Ky mjerim, në rrugët ku flitet shqip, është e mundshme të  shlyhet? Mjerimi nuk do mëshirë,  por do vetëm të drejtë. Varfëria e këtyre njerëzve është forma më e keqe e dhunës. Beteja që duhet të bëjmë, secili nga ne, nuk është kundër pasurisë, por kundër varfërisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat